Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar Projektligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit. Kanë mjaftuar dy vrasje brenda këtyre lokaleve që deputetët të marrin vendim për mbylljen e lojërave të fatit për 10 vjet.
Pas miratimit të Projektligjit deputetët po presin që ai të dalë në faqen zyrtare të Qeverisë dhe të hyjë në fuqi.
Të gjitha lojërat e fatit përveç Lotarisë së Kosovës pritet që pas 15 ditëve të mbyllen përfundimisht. Pas miratimit të Projektligjit për Ndaljen e Lojërave të Fatit deputetët po presin për nënshkrimin e tij nga ana e presidentit Hashim Thaçi dhe hyrjen e tij në fuqi.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se Projektligji do t’i shkojë për nënshkrim presidentit Hashim Thaçi, do të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe pastaj do të hyjë në fuqi. “Projektligjin e nënshkruan presidenti dhe pastaj botohet në Gazetën Zyrtare.
Me sa di unë, disa lojëra të fatit i kanë mbyllur edhe pa ligj. Ligji është i qartë që të mbyllen të gjitha lojërat e fatit në Kosovë”, ka thënë ai. Ndërsa anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, ka thënë për “Zërin” se 15 ditë pas aprovimit të Projektligjit ai publikohet në faqen zyrtare dhe hyn në fuqi.
“Pas aprovimit në Kuvend shkon te presidenti për nënshkrim ose 15 ditë pas aprovimit hyn në fletoren zyrtare dhe hyn në fuqi”, ka thënë ai. Përndryshe, edhe para se të miratohej Projektligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit tashmë janë mbyllur disa prej tyre. Administrata Tatimore e Kosovës deri më tani ka mbyllur 222 lojëra të fatit.
“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Doganën dhe me Administratën Tatimore në udhëheqje nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndërmarrë një plan operativ në gjithë territorin e Kosovës. Gjatë këtij plani janë kontrolluar 235 lokale të ndryshme dhe me vendim të ATK-si 222 prej tyre janë mbyllur.
Gjithashtu gjatë këtij plani janë sekuestruar 202 aparate të ndryshme të lojërave të fatit, një tavolinë rolet, 32441 €, 850 $ dhe 150 franga. Operacioni ka përfunduar rreth orës 23:40 pa ndonjë incident, përderisa aktivitetet dhe hetimet policore do të vazhdojnë lidhur me këtë operacion policor”, është thënë nga Policia e Kosovës.