Kabineti i Kryeministrit Ramush Haradinaj u ka kërkuar ministrive që t’i përgatisin listat e atyre që përfitojnë nga vendimi për rritjen e pagave.Kallxo.com ka siguruar një email të cilin një zyrtar në Zyrën e Kryeministrit u ka dërguar ministrive që t’i dërgojnë në Ministrinë e Financave listat e zyrtarëve të cilët përfitojnë nga rritja e pagave.Emaili është dërguar të mërkurën në mbrëmje në orën 20:55 ndërsa në të u është thënë ministrive që listat të dërgohen deri sot në orën 10:00.
“Në emër të kabinetit të Kryeministrit, kërkojmë që ministritë që nuk i kanë proceduar Listat e Pagave me ndryshimet e bëra me Vendimin e Qeverisë nr. 04/20 të datës 20 dhjetor 2017, t’i procedoni nesër deri në orën 10:00 në Ministrinë e Financave në mënyrë që vendimi të zbatohet pas shfuqizimit të vendimit për pezullimin e përkohshëm të vendimit nr. 04/20 të datës 20 dhjetor 2017. Për detaje të procedimit ju lutem kontaktoni Ministrinë e Financave”, thuhet në këtë email.Vendimi për rritjen e pagave ishte marrë në dhjetor të vitit të kaluar, por ai ishte pezulluar meqë opozita e kishte dërguar këtë vendim për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Haradinajt në vendimit për dyfishim të pagës së tij, të pagës së ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në qeveri.Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë kërkoi sot nga qeveria që ta tërheqë këtë vendim.Nga ky vendim përfitojnë edhe gjykatësit e prokurorët, përfshirë edhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të cilët kishin vendosur në favor të vendimit të qeverisë.