Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar jashtëzakonisht të mirë gjendjen e sigurisë në Gjilan dhe për këtë stabilitet e qetësi, meritat i ka adresuar të qytetarët dhe policia.
Sa u përket vjedhjeve, sidomos rasteve të fundit në fshatin Malishevë, komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, Alban Ramushi, ka thënë se policia ka filluar zbatimin e një plani operativ në fshatra dhe është në rrugë të mbarë që t`i zbulojë keqbërësit dhe t`i sjellë ata para ligjit.
Sipas të dhënave të policisë, në përgjithësi veprat penale nuk kanë shënuar rritje në krahasim me vitin paraprak, pos te dhuna në familje, ku ka një shtim të rasteve nga 38 në 59, ka thënë Ramushi.
Komandanti Alban Ramushi kërkoi ngritjen e mëtejme të bashkëpunimit me qytetarë, sepse ky bashkëpunim është në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të sigurisë së përgjithshme, duke nënvizuar rastin në Shillovë, ku falë bashkëpunimit me komunitetin, është arritur të zgjidhet çështja e disa kafiterive problematike atje.
Duke u përgjigjur në disa çështje të ngritura nga anëtarët e KKSB, Heset Zymberi, Lindita Salihu, Shqipe Haziri, Nexhat Hajrullahu, Kemajl Shahin, Drita Kallaba dhe të tjerë, majori Alban Ramushi ka sqaruar se 8 nga 9 raste të vjedhjeve në objektet e kultit janë zbuluar, ndërsa një rast është në hetim e sipër.
Sa i përket rasteve të dhunës në familje, ku siç tha Lindita Salihu, statistikat e Mekanizimit Koordinues Kundër Dhunës në Familje nuk përputhen me ato të policisë, sepse dallimi në krahasim nuk është kaq i madh, Ramushi tha se ai u referohet shënimeve të zyrtarëve policorë dhe nuk e përjashtoi mundësinë që të ketë dallime te evidentimi i numrit të rasteve kur dhuna ka ndodhur brenda të njëjtës familje.
Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, tha se pajtohen që gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit është e mirë dhe që kjo qetësi të ruhet, duhet të reagohet me kohë, sa herë që paraqiten raste të paligjshme në terren, në mënyrë që gjendja të mos dramatizohet sikur në fshatin Malishevë, ku sipas njoftimeve, ka vetorganizim të qytetarëve për mbrojtje nga hajnat.
Rexhepi i ka ftuar anëtarët e KKSB për bashkëpunim me qytetarët dhe policinë, në segmentin e sigurisë, deri aty ku lejohet, pa u përzier në procesin e hetimeve dhe zbulimit. Ai adresoi edhe çështje të tjera që ndërlidhen me sigurinë dhe që pengojnë jetën e qytetarëve.
Ndërkaq, kryepolici Alban Ramushi tha se në Malishevë janë angazhuar numër i konsiderueshëm i policëve civilë dhe pret që plani operativ të japë rezultate shumë shpejt.
Përndryshe, KKSB u informua edhe për takimin koordinues të aktivitetit të KKSB me Këshillat Lokal të Sigurisë Publike si dhe planin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në lidhje me preventivën nga zjarret, të cilin e paraqiti drejtori Sami Spahiu.
Në komunën e Gjilanit, momentalisht janë të themeluar 4 këshilla lokalë të sigurisë, ka thënë Sadete Sadiku, zyrtare e policisë, e cila foli për rolin dhe rëndësinë e tyre në terren, duke nënvizuar nevojën për rritje të numrit të kësaj strukture, sikurse duhet zgjidhur edhe çështja e kompensimit për punën që ata bëjnë.