KMDLNj ka akuzuar SBASHK-un dhe kreun e saj, Rrahman Jasharajn, se janë mbi ligjin dhe kushtetutën e Kosovës.
Duke e akuzuar për shantazh ndaj institucioneve të Kosovës dhe me nota ironie, KMDLNj shkruan se Jasharaj duhet të shfrytëzojë rrugët ligjore të ankimimit të vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Kjo gjykatë mori vendim në favor të MASHT-it dhe kundër SBASHK-ut duke sugjeruar që të zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës së mësimdhënësve.“Rrahman Jasharaj në vend se t’i shfrytëzojë mundësitë tjera ligjore të ankimimit e që edhe i takojnë, vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e diskualifikoi në mënyrë ‘shkencore’ dhe me argumentin që i mbulon të gjitha veprat penale, morale, dështimet, parashikimet etj., me ato politike”, shkruan KMDLNj.
KMDLNj propozon që të pritet vendimi i plotëfuqishëm i gjykatës dhe nëse del se SBASHK-u dhe Jasharaj kanë përgjegjësi për situatën e krijuar atëherë duhet të kallëzohen penalisht për shantazhim.
“Nëse SBASHK-u ka organizuar grevë atëherë është dashur t’ua kompensojë anëtarëve të vet ditët e grevës sepse asnjë shtet në botë nuk paguan për punën që nuk e bëni, madje edhe e sabotoni. Qeveria e Kosovës nuk është dashur t’ua paguajë pagat për aq kohë sa kanë bërë grevë. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë dhe nëse lejohet shantazhimi si mjet për arritjen e qëllimeve atëherë po del se shkëlqesia e tij, z. Rrahman Jasharaj është mbi Ligjin për Arsim, mbi MASHT-in, mbi Qeverinë e Kosovës, mbi Gjykatat dhe mbi vet Kushtetutën e Kosovës. Dhe mbi arushën e Prizrenit!”, shkruan në deklaratë.