Me rastin e pensionimit të mësimdhënëses Zizë Ismajli, kolektivi i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” ka organizuar një mbrëmje të përbashkët në të cilën është çmuar lart puna dhe kontributi i mësimdhënëses së dalluar Ziza Ismajli.
Drejtori i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, Bekim Mustafa, ka theksuar se profesoresha Zizë Ismajli ishte shembull jo vetëm për punëtorët e gjimnazit, por për të gjithë mësimdhënësit në përgjithësi, andaj ajo do t’i mungojë këtij kolektivi, por që me punën e saj ajo la mbresa të shkëlqyeshme, andaj e ka falënderuar për kontributin që ka dhënë. “Ishe shembull i një mësimdhënëseje, gjimnazi ka mësimdhënës të mirë, por ti ishe më e mira”, ka thënë drejtori Bekim Mustafa.
Profesoreshë Hyrmyze Shkodra, duke folur për personalitetin e Zizë Ismajlit, ka thënë se ajo filloi punën në kohën më të vështirë për arsimin kosovar, fati deshi që ajo karrierën e saj t’a fillojë në shtëpi-shkolla, kohë kur duhej sakrifikuar shumëçka, edhe familjen, por që në këtë kohë kjo punë ishte e mirëseardhur për shoqërinë. Profesoresha Zizë Ismajli ishte shembull për të gjithë mësimdhënësit tjerë, ka thënë profesoresha Hyrmyze.
Në përmbyllje të karrierës së saj prej mësimdhënëse, Zizë Ismajli pasi ka falënderuar kolegët e saj, ka thënë se çdo fillim ka një fund e ajo karrierën e saj e nisi dhe e përfundoi në gjimnaz, andaj tha se ndjehet krenare që ka punuar në një kolektiv si ky dhe që ka patur kolegë të tillë. Ajo ka thënë se në gjimnazi ka punëtorë të mirë dhe kolegëve të saj dhe familjeve të tyre u ka dëshiruar çdo të mirë, sikurse edhe nxënësve të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”.
Në këtë mbrëmje nga drejtoria e shkollës dhe kolegët janë shpërndarë mirënjohje e dhurata për profesorshën Zizë Ismajli, sikurse që janë shkrepur qindra fotografi të cilat për një kohë të gjatë do të mbeten në kujtesë.
Një biografi e shkurtër e profesoreshës Zizë Ismajli
E lindur në vitin 1957, pikërisht para 65 vitesh në fshtain Lutogllavë të Komunës së Pejës, Zizë Ismajli mësimet në shkollën fillore i ndoqi në fshatin e saj, për të vazhduar shkollimin e mesëm në Shkollën “11 maji”, tashti e pagëzuar Bedri Pejani.
Dashuria për popullin shqiptar, për gjuhën dhe letërsinë e këtij populli kishte bërë që tek Ziza të ngjallë dëshirën për studimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, studime të cilat i përfundoi me sukses dhe duke qenë se edhe bashkëshorti i saj, profesori e drejtori Ruzhdi Ismajli ishte mësimdhënës i kësaj lënde, edhe profesoresha Zizë karrierën e saj prej mësimdhënëse e nisi në vitin shkollor 1991/1992, pikërisht atëherë kur ishte më së vështiri, ngase ish-sistemi po përzinte nxënësit shqiptarë nga objektet shkollore.
Vite me radhë ajo punoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” dhe me krijimin e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” ajo vazhdoi punën aty deri në pensionim.
Ziza Ismajli është nënë e tre fëmijëve Arbërit, Artës dhe Arbenit, si dhe e gjashtë nipave të mrekullueshëm: Arti, Ari, Aldi, Arbesi, Benari dhe Rubeni.