Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, Gjeneral Major Enrico Barduani, takoi sot Përfaqësuesin e Përhershëm të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós.
Takimi ndodhi në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, në Prishtinë, ndërsa dyshja folën për siguri të qëndrueshme në Kosovë.
“KFOR mbetet i përkushtuar për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitet rajonal,” tha Gjeneral Major Barduani gjatë takimit.
Takimi ishte pjesë e shkëmbimeve të rregullta të Komandantit të KFOR-it me partnerët kryesorë në Kosovë.
KFOR thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes.
“Ne punojmë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse si garantues të sigurisë”, përfundoi KFOR.