shkruan:Fehmi SYLEJMANI
Se sektorin e arsimit në Gjilan, ka kohë që e ka kap tërësisht politika ditore, së fundi dëshmon fakti real, se Komisioni Intervistues për pranimin e mësimdhënësve të rinj i formuar nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan është plotësisht politik-partiak, gjë që paraqet shkelje flagrante të ligjit si kundër që e degradon tejmase këtë sektor mjaft të rëndësishëm të jetës shoqërore.
Në bazë të ligjit për shërbyes civil, asnjë zyrtar i lartë i saj nuk guxon të ketë poste partiake, e le të jetë në ndonjë komision intervistues, mirëpo, ky ligj për drejtuesit më të lartë të arsimit në Gjilan nuk vlen, meqë nga tre anëtarët e përhershëm të Komisionit Intervistues, tashmë publikisht dihet se dy janë nga radhët e partisë në pushtet(LDK), e në të shumtën e rasteve edhe anëtari i tretë që është drejtori i shkollës përkatëse, po ashtu është nga radhët e këtij subjekti. Për më keq, shkelje ligjore me dy këmbë është fakti se njëri nga këta tre anëtarët e këtij paneli ka post të lartë politik në subjektin e kësaj partie, ndërkohë që drejtoria e arsimit shtirret se gjithçka është në rregull, duke vazhduar procesin e rekrutimit të një konkursi të vonshëm dhe me qëllime politike, për të rehatuar dhe legalizuar ata mësimdhënës që i kanë marrë paraprakisht pa kurrfarë procedure ligjore. Mbase, po përfundon gjysmëvjetori i parë dhe pothuajse në të gjitha vendet e shpallura të konkursit, veç se janë duke punuar mësimdhënësit, që janë angazhuar mbi baza partiake apo edhe atë nepotiste. Procesi i rekrutimit tashmë është vetëm formal, vetëm sa për të arsyetuar dhe zyrtarizuar mësimdhënësit e angazhuar, duke i keqtrajtuar të gjithë kandidatët e interesuar, si kundër që edhe Komisioni Intervistues, jo vetëm që është partiak, por edhe jo profesional duke parashtruar pyetje absurde dhe jo konform procesit arsimor, vetëm që në fund të dalin kandidatët tjerë si të pasuksesshëm në intervistë. Mirëpo, ne si subjekt opozitar, dhe në përcjellje të vazhdueshme të çështjes së arsimit, kërkojmë nga organet relevante që sa më parë të ndërprenë procesin e rekrutimit të mësimdhënësve të rinj dhe të emërojë një Komision vërtetë profesional dhe jo partiak. Në të kundërtën i inkurajojmë të gjithë kandidatët që kanë konkurruar, që të parashtrojnë ankesë në organet gjegjëse kundër DKA për shkelje të ligjit dhe për proces jo të drejtë dhe të saktë të rekrutimit të mësimdhënësve të rinj. Po ashtu një shkelje tjetër ligjore është se pas publikimit të konkursit, procesi i rekrutimit ka filluar pas dy javë e më tepër, e që sipas ligjit ka mund të nis pas tri ditëve të mbylljes së konkursit.
Gjithashtu një shkelej tjetër e radhës së Drejtorisë së Arsimit ne Gjilan, është anulimi i konkursit për drejtorë në disa shkolla, ku në mënyrë zyrtare dhe publike fare nuk kanë njoftuar se është anuluar konkursi dhe për çfarë arsye dhe mbi cilën bazë është anuluar ky konkurs. Edhe në këtë rast kanë shpall konkurs, kanë filtruar listën, duke krijuar listën më të ngushtë të mundshme dhe krejt në fund kanë përfunduar intervistën , mirëpo nuk përzgjidhet asnjë kandidatë për drejtues të shkollave. Kjo nuk ka se si lexohet ndryshe, përveç se këta pushtetarë nuk po munden me gjet forma adekuate e zyrtare për të vendosur drejtorë partiak në shkolla.
Me këtë logjikë të partisë në pushtet, cilësia në arsimi jo vetëm që nuk do të ngritët, por do të ketë pasoja të rënda, të cilat më pas shumë vështirë se do të riparohen.
(Autori është anëtar i Kuvendit Komunal dhe anëtar i Komitetit të Arsimit në Gjilan nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!)
Komisione partiake po rekrutojnë kuadrin arsimor në Gjilan
Ndani këtë artikull