Kryetarja e Komisionit Ad-Hoc për Monitorimin e Rasteve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Elza Bajrami-Kastrati, së bashku me anëtarët e komisionit, prokurorët, Besim Kelmendi dhe Shkëlzen Ibrahimi, kanë zhvilluar takime pune në Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Gjatë vizitës në Gjilan, delegacioni është pritur nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, z. Arben Kadriu, ndërsa në Ferizaj nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z. Burim Çerkini.
#SistemiProkurorial #KeshilliProkurorial
Në këto takime është diskutuar lidhur me ecurinë e trajtimit të rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, me fokus të veçantë në statistikat e punës për vitin 2026, rezultatet e arritura në trajtimin e këtyre rasteve, si dhe sfidat me të cilat përballen prokurorët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre.
Po ashtu, përfaqësuesit e prokurorive kanë prezantuar të dhëna dhe informacione mbi numrin e rasteve të pranuara, rastet e përfunduara, aktakuzat e ngritura dhe veprimet e ndërmarra në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike.
Komisioni Ad-Hoc vlerësoi angazhimin e prokurorive në trajtimin efikas të këtyre rasteve dhe ritheksoi rëndësinë e koordinimit, monitorimit të vazhdueshëm dhe adresimit të sfidave me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

