Një delegacion nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), ishte sot për vizitë zyrtare në Komisionin e Pavarur të Mediave.
Delegacionin e udhëhequr nga Kryetarja e AMA-s znj. Armela Krasniqi e priti Kryetari i KPM-së z.Xhevat Latifi dhe anëtarët e tjerë të KPM-së.
Fillimisht z.Latifi e uroi znj. Krasniqi për detyrën e re si Kryetare e AMA-s. Të dyja delegacionet diskutuan për rrjedhën e bashkëpunimit institucional dhe mundësitë e avancimit të këtij bashkëpunimi nga dy rregullatorët audiovizivë.
Temat kryesore të diskutimit ishin zhvillimet aktuale dhe puna që janë duke kryer rregullatorët, me theks të veçantë përgatitjet e KPM-së dhe fillimi i procesit të monitorimit të mënyrës se si ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuele (OSHMA) mbulojnë fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Gjithashtu u diskutua edhe për punën që po bëhet sa i përket kornizës ligjore dhe nënligjore të rregullimit të mediave në Kosovë, respektivisht në amandametimin e disa akteve nënligjore të KPM-së.
KPM dhe AMA-n mbeten dakord për shkëmbimin e përvojave më të mira të fazave të ndryshme të procesit të monitorimit të OSHMA-ve sidomos gjatë proceseve zgjedhore, me fokus të veçantë në vlerësimin sa më të shpejtë të përmbajtjeve të transmetuara gjatë fushatës zgjedhore.