Gjilan, 23 dhjetor 2016 / Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) ka miratuar të premten raportin e punës për vitin 2016 si dhe planin për vitin 2017, të cilët i ka prezantuar Jashar Jashari, kryesues i kësaj trupe komunale, ndërsa me diskutime e propozime konkrete kanë kontribuar edhe Nexhat Halili (LDK), Agron Leka (PDK) e Veton Uka (AAK). Në takim ka marrë pjesë edhe Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Jashari ka thënë se KSHMS ka mbajtur gjithsej 12 takime, ku ka shqyrtuar dhe diskutuar në mënyrë profesionale çështje të ndryshme nga fusha e shëndetit primar dhe mirëqenia sociale.
Pasi ka numëruar aktivitetet konkrete, të cilat janë zhvilluar gjatë dymbëdhjetë muajve të këtij viti, Jashari ka thënë se puna e këtij Komiteti është karakterizuar nga një frymë demokratike dhe tolerante ndërmjet anëtarëve të kësaj trupe komunale, që vijnë nga pesë subjekte politike, pozitë-opozitë, të cilat përfaqësohen në Kuvend Komunal.
Ai ka falënderuar të gjithë anëtarët për kontributin që kanë dhënë në realizimin e objektivave të KSHMS. “Jemi Komiteti i vetëm ndoshta që kemi mbajtur takime çdo muaj dhe kemi shqyrtuar pa vonesë të gjitha çështjet që kanë qenë me interes për qytetarët e komunës së Gjilanit”, ka thënë Jashari.
Nexhat Halili, Agron Leka e Veton Uka nënvizuan bashkëpunimin e mirë ndërmjet anëtarëve të kësaj trupe komunale, duke thënë se të gjithë janë angazhuar për avancimin e shëndetësisë primare dhe kujdesit social, si shërbime bazike që Komuna i ofron për qytetarët e saj, duke përsëritur nevojën për rritjen e buxhetit për këtë sektor, meqë kërkesat janë të mëdha.
Jashari ka theksuar se e vitin e ardhshëm, buxheti për shëndetësi do të jetë për 5 për qind më i lartë se këtë vit.
Sa i përket planit të punës për 2017, Jashari ka thënë se edhe vitin e ardhshëm janë planifikuar të mbahen 12 takime të KSHMS, por nëse paraqitet nevoja, kjo trupë komunale do të mbajë edhe takime shtesë.
“Plani është orientues dhe mund të plotësohet e ndryshohet gjatë vitit, varësisht prej kërkesave dhe nevojave që do të paraqiten”, ka thënë Jashari.
Plani është miratuar me dy propozime shtesë, të cilat i kanë paraqitur Veton Uka, përkatësisht Nexhat Halili e Agron Leka dhe janë përkrahur edhe nga kryesuesi Jashar Jashari.
Uka ka propozuar që në agjendën e punës së KSHMS për vitin 2017, të përfshihet edhe çështja e mbrojtjes së ambientit, ndërkaq Halili e Leka kanë thënë se po ashtu është e nevojshme planifikimi i një konference për shëndetësi në Gjilan, që është shumë e rëndësishme për licencim, në mënyrë që stafi shëndetësor të mos ketë nevojë të shkojë në qytete të tjera dhe të krijojë edhe shpenzime shtesë.
………………………………………
Komiteti i shëndetësisë miraton raportin dhe planin e punës
Ndani këtë artikull