Kompania Globi ka ndërmarrë një iniciativë të rëndësishme në shërbim të komunitetit, duke investuar me mjete vetanake në rregullimin e një segmenti rrugor prej rreth 5 kilometrash në fshatin Stançiç, në brezin kufitar të Komunës së Gjilanit.
Ky investim, i realizuar me vetiniciativë nga kompania, synon të përmirësojë qasjen në infrastrukturë dhe të lehtësojë lëvizjen e banorëve të kësaj zone, të cilët prej kohësh janë përballur me vështirësi në qarkullim.
Falë këtij angazhimi, banorët do të kenë kushte më të mira për lëvizje, qasje më të lehtë në pronat dhe aktivitetet e tyre të përditshme, si dhe mundësi më të mëdha për zhvillimin e zonës kufitare.
Ky veprim vlerësohet si një shembull i përgjegjësisë shoqërore të biznesit, duke dëshmuar se sektori privat mund të japë një kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Banorët shpresojnë që ky investim të pasohet edhe nga projekte institucionale, me qëllim të modernizimit të plotë të infrastrukturës rrugore në këtë pjesë të komunës.

