Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot ShSKUK-në, ku edhe foli për rastin e djegies së veturës të drejtorit të auditimit të brendshëm të ShSKUK-së, Avni Vitijës.
Sipas Kurtit, dy kompanitë përgjegjëse, njëra për sigurim fizik e tjetra për mbikëqyrje të kamerave, kanë dështuar në trajtimin e rastit.
Ndërkohë, ka ardhur edhe reagimi i kësaj të fundit, kompania “Quantic”, e cila thotë se është përgjegjëse vetëm për laurat, por jo edhe për kamerat që gjendën në hapësirat e ShSKUK-së.
Kurti deklaroi sot se “Quantic” edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima”.
Kësaj deklarate të Kurtit, “Quantic” i është kundërpërgjigjur, duke thënë se kamerat që gjenden në laura, për të cilat është përgjegjëse, janë vendosur nga kompania paraparake dhe së shërbejnë vetëm për kontrollë terminale, dhe jo për vëzhgim.
“Para disa jave ka pasur vetëtimë ku janë djegur të gjitha paisjet elektronike të laurave dhe paisjet e vijueshmërisë, gjithashtu edhe kamerat ku vetëtima ka dëmtuar në paisjet tona. Ne si kompani kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme, i kemi rregulluar mbrenda 24h paisjet që janë në kontratë. Ne kemi kryer punë edhe jashtë kontratës, vetëm që sistemi të jetë perfekt, si ndërrim të terminaleve, lyerjen e rrugëve, shtrim të pllakave në terminale, vendosje të laurave të mbrendshme, betonim etj.” thuhet në reagimin e “Quantic”.
Kompania në fjalë është zotuar madje se do të padisë kryeministrin Kurti, për prishje të imazhit dhe dezinformatë rreth mirëmbajtjes së kompanisë.
“Sipas disa informatave, QKUK posedon mbi 200 kamera që menaxhohen nga vetë ata dhe që nuk kanë mirëmbajtje të tyre” thuhet gjithashtu në reagimin e kompanisë.