Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi – Emini, ka shqyrtuar dhe miratuar propozimin për emërimin e nënkryetarit të Komunës për komunitete, zgjedhjen e zëvendës kryesuesit të Kuvendit të Komunës për komunitete, si shenjë e vullnetit të mirë ndaj komuniteteve, ndonëse ato nuk përbëjnë 10 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Këto dy pika në të vërtetë kanë nxitur më së shumti debat. Opozita (LVV e PDK) nëpërmjet Nevzad Isufit e Riza Abdylit, ka insistuar se zgjedhja e nënkryetarit për komunitete si dhe e zëvendës kryesuesit të Kuvendit, është në kundërshtim me ligjin mbi vetëqeverisjen lokale dhe statutin e Komunës, sepse komunitetet nuk përbëjnë 10 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Megjithatë, me 16 vota për dhe 7 kundër, përkatësisht 15 për dhe 8 kundër, Kuvendi i la në rend dite të dyja këto pika.
Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini tha se gjithçka është e qartë sa i përket anës ligjore dhe rikujtoi anëtarët e Kuvendit se përgjegjëse për interpretimin e ligjshmërisë së vendimeve të Kuvendit, është MAPL-ja.
Me 15 vota për dhe 4 kundër, Kuvendi votoi për emërimin e Kadir Hyseinit për nënkryetar të Komunës, ndërsa zëvendës kryesuesi i Kuvendit për komunitete, Milivoje Stojanoviq u zgjodh me 15 vota për dhe 10 kundër.
Po ashtu, me kërkesën e këshilltarëve, Kuvendi e ktheu në rend dite edhe pikën pyetje-përgjigje, ku çështje të ndryshme ngritën Bujar Nevzati, Nehat Osmani, Gentrit Murseli, Xhevat Demiri, Avdyl Aliu, Arta Nuhiu, Festa Shabani, Ibish Ibishi, Arijeta Rexhepi dhe Fitim Guda, ndërkaq përgjigje kanë dhënë drejtorët komunalë Bekim Bajrami si dhe nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli.
Sa i përket protestës së shoqatës së transportuesve “Anamorava”, Ismajli ka thënë se kërkesat e tyre janë duke u trajtuar, por disa prej tyre nuk kanë të bëjnë me nivelin lokal.
“Me sa di unë, ata kanë pasur një takim edhe me ministrin e Infrastrukturës dhe kanë marrë premtimin për subvencionim e humbjeve që transportuesit i kanë pasuar shkaku i pandemisë. Sa iu përket taksive ilegalë, ne jemi duke punuar për zgjidhjen e këtij problemi, kurse kërkesa për heqjen e peronizimit nuk mund të realizohet, sepse është i vetmi shërbim i Stacionit të Autobusëve”, ka thënë Ismajli.
Në lidhje me zhvendosjen e DKRS-së në hapësirat e Bibliotekës, Ismajli tha se vendimi mund të rishikohet nëse kjo paraqet pengesë për punën e bibliotekës.
Njëherësh, ai tha se personalisht nuk pajtohet me vendimin e nivelit qendror për mbylljen e bibliotekave, shkaku i pandemisë dhe kërkoi që ky vendim të anulohet urgjentisht dhe bibliotekat të hapen për lexues.
Kurse pyetjes për varrezat e qytetit, Ismajli iu përgjigj duke thënë se ekziston një kompani që kujdeset për mirëmbajtjen e kësaj hapësire dhe sipas kontratës, ajo e bën pastrimin dy herë brenda vitit.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar raportin financiar janar-qershor 2020, të cilin e paraqiti Ilmi Limani, shef i Financave, rregulloren për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshme në pronat e personave fizikë dhe juridikë, që e arsyetoi drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami, me disa ndryshime që u propozuan nga kuvendarët, vendimin për këmbimin e pronës private me pronën komunale sipas PRRU “Gllama” dhe PRRU “Dheu i Bardh-1”, që e arsyetoi drejtori i Kadastrës, Sali Fazliu, vendimin për organizimin e dëgjimit publik për Planin Zhvillimor Komunal 2020-2028, që e arsyetoi drejtori i Urbanizmit, Bekim Bajrami, vendimin për kompensimin e Komisionit për ndarjen e bursave, që Kuvendi vendosi të jetë një paushall prej 250 euro, vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve”, ku Arben Rexhepi zëvendëson Artan Musliun që ka dhënë dorëheqje dhe vendimit për NPL “Tregu”, ku Xhejlane Vokshi zëvendëson Shadije Rexhepin, që po ashtu ka dhënë dorëheqje. Arsyetimet i ka dhënë Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së.
Njëherësh, Kuvendi miratoi edhe propozimin e kryetarit të Komunës për ndarjen e një shumë prej 5000 mijë euro për familjen e Agon Musliut, i cili vdiq tragjikisht në karantinën e Qendrës Studentore, javë më parë.
Në bazë të një kërkese paraprake, kuvendarët u njoftuan edhe zhvillimin e punimeve në qendrën e qytetit dhe në lagjen “Dardania”, nga drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, i cili i dha të gjitha sqarimet e nevojshme për të dyja projektet si dhe u përgjigj në pyetjet konkrete të këshilltarëve komunalë, kryesisht të opozitës.
Kuvendi u njoh edhe me raportin e punës së Komisionit të Aksionarëve të ndërmarrjes publike “Ecohigjiena” për vitin 2019, që e paraqiti Meral Sadriu-Vokshi, por raporti i saj nuk e kënaqi opozitën, e cila e vlerësoi raport të mangët dhe që nuk ofron asnjë informatë të vlefshme.
Siç dihet, partneriteti publik-privat në këtë ndërmarrje është në krizë prej shumë kohësh dhe rasti, siç ka sqaruar nënkryetari Ismajli, është në gjykatë, meqë nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët me partnerin privat.