Gjilan, 8 shkurt 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot Këshillin e Bashkësisë Isame në Gjilan, ku është pritur nga kryetari Naim Aliu me bashkëpunëtorët.
Qëllimi i takimit të sotëm ka qenë koordinimi me Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan për projektet e përbashkëta të cilat do të realizohen gjatë vitit.
“Meqë jemi një fillim të vitit buxhetor, me kryetarin e Bashkësisë Islame biseduam për disa nga projektet e tyre dhe kërkesat e besimtarëve të Gjilanit, të cilat kanë të bëjnë me renovime dhe ndërtim të xhamive te reja, siç është rasti i Muhaxherëve të Shillovës, të cilët kërkojnë truall për ndërtimin e një xhamie. Jemi në koordinim lidhur me renovimin dhomës së pritjes tek Xhamia e Madhe, ndarjen e një parcele për ndërtimin e një qendre të kulturore islame etj.,”, ka thënë pas takimit kryetari Lutfi Haziri.
Kryetari Haziri tha se angazhimi i Komunës është që të krijojmë kushte më të mira për të gjithë besimtarët pa dallim, duke theksuar se Gjilani në aspektin e tolerancës fetare dhe bashkëpunimi në kuadër të dilalogut ndërfetar të të gjitha kofesioneve fetare, është shembull për mbarë Kosovën.
Nga ana e tij, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në realizimin e projekteve të përbashkëta.
“Ne si Këshill i Bashkësisë Islame në Gjilan i jemi mirënjohës Komunës dhe kryetarit Haziri për punën dhe koordinimin e vazhdueshëm për projektet tona të përbashkëta. Projektet që i përmendi kryetari janë shumë të rëndësishme, e lehtësojnë punën tonë, por krijojnë mundësi më të mira për besimtarët myslimanë që t’i kryejnë ritualet fetare në mënyrën më të mirë”, u shpreh Aliu.
Përndryshe, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka konfirmuar se po punohet lidhur me dislokimin e varrezave të reja dhe po presin që Qeveria e Kosovës t’ua lejoj vendin e ndërtimit.