Zyrtari për informim në Komunën e Gjilanit, Ibrahim Ademi e ka konfirmuar për Insajderin aksidentin e autobusëve me maturantët gjatë kthimit nga ekskursioni në Shqipëri.
Ademi ka thënë se aksidenti në fjalë ka ndodhur kur njëri nga autobusët që ka qenë duke i bartur nxënësit tanë gjatë eskursionit, është aksidentuar me tjetrin afër Aeroportit të Rinasit, derisa po udhëtonin për në Shkodër.
“Nga ky aksident, tre nxënës kanë marrë lëndime të lehta, të cilët janë trajtuar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë”, ka thënë Ademi për Insajderin.
Zyrtari për informim në Komunën e Gjilanit ka treguar se fatmirësisht gjendja e nxënësve të lënduar është përmirësuar dhe nxënësit në fjalë dhe të gjithë të tjerët janë kthyer në familjet e tyre në Gjilan.