Kanë nisur aktivitetet sensibilizuese për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit nga Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore dhe organizatat partnere.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se sot filluam “Muajin Rozë” me një ligjëratë informuese në QKMF, në kuadër të aktiviteteve për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit.
“Bashkë me qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore, diskutuam mbi rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe edukimit për parandalimin e kësaj sëmundjeje”, tha Hyseni.
I pari i Gjilanit, falënderoi të gjithë që iu bashkuan kësaj nisme të rëndësishme për shëndetin e grave.
“Jemi bashkë me të gjitha gratë dhe familjet që po kalojnë nëpër këtë periudhë të vështirë”, tha kryetari Alban Hyseni.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, tha se në fillim të aktiviteteve të Tetorit Rozë, janë mbledhur për një kauzë që prek të gjithëve, shëndetin e grave dhe ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit.
Sipas saj ky muaj na kujton se kujdesi për shëndetin nuk është vetëm detyrim personal, por edhe përgjegjësi shoqërore.
“Gjatë dy viteve të fundit, me angazhimin e përbashkët, kemi sjellë mamografin falas në qytetin tonë dhe kemi mundësuar që shumë gra e vajza nga Gjilani dhe Anamorava të bëjnë kontrolle, duke zbuluar raste në kohë dhe duke parandaluar sëmundje të rënda”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja, shtoi se ky është shembulli më i mirë se si kujdesi i hershëm shpëton jetë.
“Prandaj, sot nuk jemi këtu vetëm për të folur, por për të vepruar. Të inkurajojmë çdo nënë, motër, vajzë e mike të bëjë kontrollin e rregullt. Të qëndrojmë pranë njëra-tjetrës dhe të japim mbështetje aty ku ka nevojë. Falënderim i veçantë për mjekët dhe motrat medicinale që me profesionalizëm e përkushtim janë çdo ditë pranë pacientëve tanë”, tha Morina Bunjaku.
Ajo theksoi se pa ju, ky mision nuk do të ishte i mundur. Shëndeti i grave është shëndeti i shoqërisë sonë. Le ta kthejmë këtë muaj në një mesazh të fuqishëm se bashkë mund të bëjmë ndryshimin.
Ramize Ahmeti Ibrahimi, nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ka folur rreth synimeve për rritjen e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.
Ajo ka treguar edhe për kontrollat e numrin e trajtuarave nga punonjësit e QKMF-së dhe masat e ndërmarra.
Derisa tregoi se gjatë gjithë muajit do të zhvillohen ligjërata, takime me komunitetin, shpërndarje materialesh informuese dhe marshi sensibilizues në qytet.