Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli i shoqëruar edhe nga drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani dhe banorët e lagjes “Bujana”, kanë bërë mbjelljen e drunjve me qëllim të krijimit të hapësirave më të mëdha gjelbruese.
Aksion për pastrimin, gjelbrimin dhe mbjelljen e drunjve dekorativ në Komunën e Gjilanit u dedikohet të gjithë donatorëve që kanë qenë me Gjilanin në këtë fazë të vështirë të përballjes me pandeminë globale Covid-19 ka pohuar nënkryetari gjatë aksionit në këtë lagje.
“Ishin donatorët, diaspora, komuniteti i biznesit dhe shumë qytetarë që ishin me ne në kohën më të vështirë të përballjes me koronavirusin duke bërë që askush të mos mbetet pa ushqim. Në kuadër të kësaj, ne këtë aksion ua kushtojmë atyre. Fillimisht kemi bërë mbjellje të drunjve në kampusin e shkollave të mesme, po bëhet pastrami i mbeturinave në varrezat e qytetit dhe tash është duke u punuar në lagjen Bujana”, ka thënë nënkryetari.
Njëkohësisht, ai ka potencuar se “kjo ishte iniciativë e Taulant Byqmetit dhe banorëve në këtë lagje të cilët ne i kemi mbështetur dhe sot jemi në realizim të këtij aksioni. Komuna është në shërbim të qytetarëve dhe përmes këshillave të fshatrave dhe lagjeve do të jemi pranë, në mënyrë që ta zgjerojmë ambientin e gjelbër dhe të mbjellim sa më shumë drunj”.
Taulant Byqmeti ka falënderuar nënkryetarin Ismajli duke thënë se së bashku me banorët e lagjes do të jenë kujdestar të gjelbrimit dhe drunjve në përgjithsi, sepse kjo, sipas tij, është jetë më e shëndetshme dhe frymarrje e pastër.
Drejtori Ramiz Ramadani, ka konfirmuar se në planin dinamik për këtë fazë është e paraparë mbjellje e vazhdueshme e drunjve dhe kjo do të bëhet me bashkëpunim qytetarë.
Edhe Narti i vogël i është gëzuar këtij aksioni derisa ka thënë se tashmë është zonë e cila shfrytëzohet shumë nga fëmijët e lagjes.