Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se sot janë nënshkruar marrëveshje të reja bashkëpunimi me 12 biznese lokale, të cilat do të mundësojnë punësimin e 13 qytetarëve me aftësi të kufizuara.
Sipas tij, ky projekt realizohet në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqëson vazhdimësinë e politikave sociale të Komunës së Gjilanit për fuqizimin dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës.
Për zbatimin e këtij programi, Komuna e Gjilanit ka ndarë rreth 40 mijë euro, duke mbështetur drejtpërdrejt integrimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të barabarta për këtë kategori të qytetarëve.
Kryetari Hyseni ka falënderuar bizneset që iu përgjigjën thirrjes publike dhe u bënë pjesë e kësaj nisme, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat, institucioneve komunale dhe atyre qendrore është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku secili qytetar ka mundësi të barabarta për punësim dhe zhvillim.
Komuna e Gjilanit thekson se do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që promovojnë përfshirjen sociale, barazinë dhe fuqizimin ekonomik të personave me aftësi të kufizuara.

