Komuna e Gjilanit ka nxjerr në diskutim publik Planin e Veprimit për Transparencë 2022 – 2026, të cilin e ka prezantuar drejtoresha e Administratës së Përgjithshme, njëherësh kryesuese e grupit punues, Doruntina Hasani.
Gjatë prezantimit, Hasani ka thënë se ky propozim-plan është hartuar dhe përgatitur si model nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), është në përputhje me legjislacionin në fundit dhe i cili i është përshtatur nevojave të funksionimit të të gjitha sektorëve të Komunës së Gjilanit, përfshirë Zyrën e Kryetarit, drejtoritë e Kuvendin Komunal.
“Plani ka për qëllim që t’i krijojë disa korniza me qëllim që të veprojmë brenda përbrenda atyre kornizave, të respektojmë dispozitat ligjore dhe nënligjore të aplikueshme, në mënyrë që të rritet llogaridhënia e organeve të Komunës dhe të jemi sa më transparentë në veprimet e vendimet që ndërmarrin organet e Komunës”, ka thënë drejtoresha Hasani.
Në kuadër të këtij prani, është paraparë publikimi i njoftimeve për takimet e Kuvendit të Komunës, transmetimi i mbledhjeve të Kuvendit, publikimi i akteve të Kuvendit, publikimi i planit të punës, ofrimi i qasjes së drejtpërdrejtë në informata dhe dokumente publike, publikimi i raporteve të punës se Kuvendit, publikimi i profileve te anëtarëve të Kuvendit, e publikimi i të dhënave për përbërjen e Komiteteve.
Po ashtu, plani katër vjeçar parasheh publikimin e akteve të kryetarit, përfshirjen e hershme të publikut në procesin e planifikimit, publikimi i listës së pronave të planifikuara për dhënie për shfrytëzim, mbajtja e takimeve publike e konsultimeve të tjera me publikun, shqyrtimi i kërkesave e peticioneve të qytetarëve, mbajtja e takimeve me qytetarë për KAB-in, mbajtja e konsultimeve me qytetarë për projekt-buxhetin e Komunës, diskutimi i raportit të kryetarit të Komunës në Kuvendin Komunal, etj.
Në këtë debat publik kanë kontribuar qytetarët, Sabit Jahiu, Nexhat Sylaj, Ahmet Miftari e Enver Haziri, të cilët kanë adresuar kërkesa kryesisht për realizim të projekteve komunitare.
Ndërkaq, këshilltari komunal, Arbër Musliu, ka përgëzuar ekzekutivin për përgatitjen dhe nxjerrjen në diskutim publik të këtij plani të veprimit, të cilin e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për aspektin e transparencës.
Në fund, drejtoresha e Administratës, Doruntina Hasani, është zotuar që kërkesat e qytetarëve do t’i adresojë në organet përgjegjëse, derisa ka inkurajuar qytetarët që të vazhdojnë t’i paraqesin të gjitha kërkesat e tyre edhe nëpërmjet Qendrës për Shërbim me Qytetarë.
Ndryshe, Propozim-plani i veprimit për transparencë 2022-2026 është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Komunës dhe kanale të tjera për informimin e qytetarëve më 31 maj 2022.