Mbështetur në Rregulloren e Kuvendit komunal të Gjilanit , për dhënien e titujve të nderit, Çmimeve si dhe Mirënjohjeve institucioneve apo personave që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të jetës sonë dhe, në të mirë të qytetarit e në veçanti të Komunës sonë, shpallim të hapura propozimet për Çmimin letrar “Beqir Musliu”, për vitin 2019 dhe atë nga data 10 – 25 maj.
Inkurajohen asociacionet e ndryshme letrare, brenda e jashtë komunës, shtëpitë botuese si dhe institucionet bibliotekare që t’i përgatisin dhe përcjellin propozimet e veta në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, përmes Qendrës për Shërbim Qytetar, sipas Rregullores dhe afatit të paraparë.
Të interesuarit mund t’i propozojnë shkrimtarët e gjithë hapësirës shqiptare, të cilët kanë rrumbullakësuar një karrierë të begatshme letrare, kanë dëshmuar cilësi krijuese e në veçanti, prurje të reja letrare – artistike duke e zhvilluar dhe afirmuar në kufij nacional dhe përtej, letërsinë tonë, në fushën e poezisë, prozës, dramës si dhe studimeve letrare.
Shkrimtarët e propozuar duhet të jenë mbi moshën 60 vjeçare.
Propozimeve iu bashkangjitet edhe një arsyetim i përmbajtësor për jetën dhe krijimtarinë letrare të të propozuarit, duke u fokusuar në arrtitjet dhe prirjet e reja letrare.
Zyra e Kryetarit, ashtu si e parasheh Rregullorja, në bashkëveprim me Ars Clubin “Beqir Musliu” si dhe institucionet kulturore komunale, përmes një Jurie Letrare, më 11 qershor 2019, shpall emrin e fituesit të ri ndërsa për ceremoninë e dhënies, sipas pajtimit me autorin dhe me palët tjera që e organizojnë dhënien e këtij Çmimi, cakton datën dhe për këtë njofton me kohë publikun dhe pjesmarrësit e Ceremonisë.