Ditë më parë u përfol për ikje të qytetarëve nga Komuna e Kamenicës për në Kroaci me viza pune.
Madje, u tha se nuk po braktisnin vetëm kamenicasit Kosovën por edhe qytetarë të komunave të tjera.
Por, për zyrtarët e kësaj komune, nuk është ikje masive siç po prezantohet në opinionin publik.
Në një përgjigje me shkrim, zyrtarët e kësaj komune deklarojnë se trendi i largimit të rinjve për punë në vendet e tjera është ikje e përgjithshme e të rinjve nga Kosova.
Derisa, theksojnë se nuk është e papritur.
“Nuk do e kishim quajtur ikje nga Kamenica sepse ashtu siç i kemi parë lajmet nëpër media ata që kanë udhëtuar për në Kroaci kanë shkuar për një periudhë të caktuar me viza pune. Ikja e të rinjëve normalisht që është shqetësuese por nuk është e papritur dhe nuk mund t’i gjykojmë për këtë punë. Trendi i largimit të rinjëve për punë në vendet e tjera është trend i ikjes së përgjithshme të rinjve nga Kosovë”, thuhet në përgjigjën e tyre.
Derisa theksojnë se në mungesë të vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik, sigurisht që të rinjtë do të shohin për mundësitë e tjera.
Po ashtu, u përmenden se për një natë 70 qytetarë kishin marrë rrugën drejt Kroacisë.
Mirëpo, kjo komunë nuk ka të saktë numrin e personave që po braktisin vendin.
Por, që e mohojnë se ka ikje të organizuar sic ka ndodhur para disa vitësh.
“Realisht, nuk kemi ndonjë numër të saktë rreth personave që po ikin jashtë. Duke ditur që Kamenica ka shumë banorë në diasporë, ky numër në komunën tonë mund të jetë më i madh por assesi nuk mund të flasim për ikje të organizuar siç ka ndodhur para disa viteve”, thuhet mes të tjerash në përgjigjën e tyre.
Se a kanë dalë në terren për të parë nga afër këtë situatë, ata thonë se po përcjellin me të gjithë akterët, derisa theksojnë se po mundohet që të përmirësojnë kushtet e jetës.
“Komuna e Kamenicës është për çdo ditë në komunikim me qytetarët dhe po e përcjellim nga afër me të gjithë akterët. Me mundësitë tona po mundohemi t’i përmirësojmë kushtet e jetës, por nuk është se kemi shumë mundësi. Duhet një plan shtetëror zhvillimor që ta ndryshojë këtë trend”, thuhet tutje në përgjigjën e tyre.