Mbi 60 punëtorë shëndetësor të QKMF-së së Gjilanit, të cilëve këto ditë, më 24 prill, iu ndërpre kontrata e punës, ishin pjesë e një projekti ndërmjet CARITAS-it dhe Komunës, për funksionimin normal të shëndetësisë primare në Gjilan.
Këta punëtorë, shpesh ishin rrezikuar të mbeten pa paga edhe me muaj të tërë, sikur qe rasti I fundit I vonesës së pagave për gjashtë muaj, për shkakun edhe të rritjes enorme të këtij numri me punëtorë tjerë militant të LDK-së, partisë në pushtet, nga numri fillestar sipas kontratës”, thuhet në një reagim të lëshuar nga Komisioni për Shëndetësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan.
“Ne dhe qytetarët e Gjilanit, nuk jemi të informuar se sa ka qenë numri i të punësuarve fillimisht sepse vazhdimisht ky numër ka ardhur duke u rritur? A ka pasur kontratë të nënshkruar nga Kryetari i Komunës me Caritas-in dhe deri kur? Sa muaj kanë punuar pa kontrata dhe si është bërë pagesa e tyre nga cili kod buxhetor? Si do të bëhet pagesa për tre muajt e mbetur borxh ndaj punëtorëve të larguar?”, thuhet në këtë reagim.
Komisioni në fjalë i PDK-së, shton tutje në reagim se këto dhe shumë të tjera janë shqetësime të qytetarëve, njëkohësisht edhe shqetësime tona.
“Largimi nga puna i këtyre punëtorëve dhe mbetja borxh ndaj tyre për tri paga, janë absurditeti i radhës i qeverisjes Haziri në Gjilan, kur e kemi parasysh deklarimet e tija publike me këtë rast, se: ky numër është i domosdoshëm për funksionimin normal të Shëndetësisë primare! Prandaj, shtrohet pyetja: si do të mbulohen shërbimet dhe a do rrezikohen qytetarët nga mungesa e shërbimeve shëndetësore? “, vazhdo reagimi i Komisionit për Shëndetësi i PDK-së, Dega në Gjilan.
Më tej thuhet se: “Edhe ky veprimi I kryetarit të Komunës z. Lutfi Haziri, na jep të kuptojmë për mungesë profesionalizmi , serioziteti dhe gatishmërie për shëndetësinë gjilanase, veçanërisht të shëndetit primar. Prandaj, PDK dega në Gjilan, shprehë keqardhje dhe e kundërshton mënyrën se si janë larguar punëtorët shëndetësor nga puna, ku kanë shërbye me vite të tëra”.
“Në kuadër të kësaj, kërkojmë nga institucionet komunale të jenë transparente dhe të japin përgjigje se çfarë në të vërtetë po ndodhë me fatin e këtyre punëtorëve të cilët deri tani me këtë pagë I kanë mbajtur gjallë familjet e tyre”, përfundon reagimi i komisionit përkatës të PDK-së së Gjilanit.