Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se është nënshkruar vazhdimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të Anamoravës dhe Qendrës për Strehimin e Viktimave të Dhunës në Familje “Liria” në Gjilan.
Memorandumi është nënshkruar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ndërsa synon vazhdimin e përkrahjes institucionale për funksionimin e strehimores dhe ofrimin e shërbimeve për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës në familje.
Sipas Hysenit, komunat e Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë po vazhdojnë bashkëpunimin për të siguruar mbështetje dhe mbrojtje të qëndrueshme për personat që përballen me dhunën në familje.
Ai ka falënderuar OSBE-në për bashkëpunimin, si dhe stafin e Qendrës “Liria” për angazhimin e tyre të përditshëm në mbështetjen e viktimave të dhunës në familje.










