Komunat e Kosovës gjatë vitit 2017 kanë realizuar të hyra në vlerë prej 72.5 milionë euro, apo 5.6 milionë më pak se sa planifikimi që ishte paraparë prej 78.1 milionë. Kështu thuhet në Raportin e funksionimit të komunave të Republikës së Kosovës janar – dhjetor 2017, të publikuar nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
Sipas raportit planifikimi i të hyrave vetanake për vitin 2017 ka qenë në vlerë prej 78,163,490.00 €, për dallim nga viti 2016 sa ka qenë në vlerë prej 79,622,353.00 €, apo 1,458,863.00 më pak, ose për 1.83%, raporton InfoKomuna.
Në raport theksohet se lidhur me performancën e komunave në menaxhimin e buxhetit, gjatë vitit 2017 përgjithësisht vërehet progres në këtë fushë.
“Realizimi i të hyrave direkte dhe indirekte për vitin 2017 ka qenë 72,529,276.75 €, që nëse krahasojmë me planifikimin, 78,163,490.00 €, atëherë i bie se realizimi i të hyrave është 93%. Mbledhja e të hyrave vetanake direkte për vitin 2017 në vlerë prej 67,476,446.60 €, ose 86.33% nga niveli i planifikuar vjetor. Krahasuar me vitin 2016 në vlerë prej 66,230,620.97 € është më i madh për 1,245,825.63€ ose një rritje prej 1.88 % €.”, thuhet në raport.
Komunat të cilat kanë realizuar më së shumti të hyra vetanake mbi 100% janë komunat: Prizren, Skenderaj, Hani i Elezit, Kllokot dhe Partesh, ndërsa komunat që kanë realizuar të hyra vetanake në një shkallë të ulët nën 20% janë komunat: Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore.
Të hyrat që kanë një ndikim më të madh në rritjen e të hyrave vetanake janë tatimi në pronë i cili gjatë vitit 2017 është inkasuar në shumë prej 22,562,501.00 €, që është një inkasim më i vogël për 2,874,142.00 € se në periudhën e njëjtë të vitit 2016 e cila ka qenë 25,436,643 €, si dhe të hyrat komunale për leje ndërtimi ku gjatë vitit 2017 është inkasuar shuma prej 18,614,038 € që është një inkasim më i madh së gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2016 e cila ka qenë 17,293,233 €.
Ndërsa, të hyrat nga ndërrimi, destinimi i tokës në vitin 2017 janë të inkasuar 3,106,348.00 €, ku shihet se ka pas një rritje krahasuar me vitin 2016 me 1,707,936 €.
Komunat e Republikës së Kosovës për vitin 2017, sipas raportit, i kanë shpenzuar buxhetet e tyre në vlerë të përgjithshme prej 419,327,289.09 ose 90% nga vlera prej 466,567,443.76 € sa ka qenë e planifikuar. Buxhetimi i komunave për vitin 2017 është më i lartë për 22,779,621.53 € krahasuar me vitin 2016.