Gjilan, Maj 2017
Në kuadër të vizitës së tij sot në Gjilan, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj i shoqëruar nga kryetari i Degës së AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, ka mbajtur bashkëbisedim të hapur para Teatrit të Qytetit me qytetarë të Gjilanit, ku kanë bashkëbiseduar për tema të ndryshme aktuale në vendin tonë.
Këtë takim së pari e hapi kryetari i Degës së AAK-së në Gjilan dhe njëherit nënkryetar i komunës Rexhep Kadriu, i cili tha se qytetarët janë lodhur nga politikanë që as nuk dinë, as nuk guxojnë, as nuk kanë vullnet për të punuar për të mirën e përgjithshme, politikanë që kurrë Kosovën nuk e vunë para interesave të tyre personale.
“Ka ardhë koha ti japim formë shtetit, të bëhemi tamam shtet. Ka ardhë koha ti themi miqve tanë që nuk ka kuptim të jemi shtet pa ushtri dhe pa politikanë të ndershëm dhe të përgjegjshëm. Ka ardhur koha të kemi universitete të pandikuara nga politika, me arsim cilësor dhe me parime. Ka ardhur koha që të gjithë atyre që duan të investojnë në Kosovë, në vend që ti kushtëzojmë ti ofrojmë kushte për gjenerimin e vendeve të reja të punës. Ka ardhur koha që fusha e shëndetësisë të ofrojë shërbime cilësore dhe profesionale për të gjithë qytetarët pa dallim. Ka ardhur koha që gjykatat të kenë pavarësi të plotë në punën e tyre dhe ti shërbejnë ligjit dhe shtetit dhe jo matrapazëve. Ka ardhur koha që Anamorava të lidhet me kryeqytetet e shqiptarëve nëpërmjet autostradës. Ka ardhur koha që Gjilani të ketë fabrikën për trajtimin e ujërave të zeza, për zhvillimin e zonës ekonomike, për përfshirjen e fermerëve në agjendë, që qytetarët e Luginës të gëzojnë nënshtetësinë e Kosovës.
Ka ardhur koha që Ramush Haradinaj të jetë kryeministër i Kosovës dhe kështu vendi ynë më në fund të bëhet partner me vendet e Bashkimit Europian”, ka thënë Kadriu.
Ndërkaq, kryetari ii AAK-së Ramush Haradinaj, ka përshëndetur qytetarët e Gjilanit dhe ka thënë se gjendet para tyre sot që të prezantojë synimet e Aleancës për sjelljen e ndryshimit për Kosovën.
“Ne e kemi një atdhe, të gjithë shqiptarët kudo që jemi, por me ne jetojnë edhe komunitetet të cilat i kemi respektuar gjithmonë. Duhet ta dijmë që pavarësia e shtetit tonë është rezultat i të gjithë shqiptarëve duke përfshirë këtu edhe preshevarët. Bashkëqytetarët tanë të Luginës janë shtetas të Kosovës, prandaj nuk mundemi t’ia mohojmë të drejtën e shtetësisë në vendin e vet. Nuk mund të vazhdojmë me një Kosovë me fusnotë, me një Kosovë që i merr ose i jep dikush tokën. Pasi që jemi bërë pjesë e një fillimi të ri, nuk duhet ti përsërisim gabimet e vjetra, por duhet të fillojmë nga e para. Dua t’iu them vetëm një gjë, që qeveria Haradinaj do të jetë qeveri e punëve të kryera, e jo qeveri e premtimeve që nuk mbahen dhe punëve që nuk kryhen kurre. Më kanë pyetur shumëkush pse morra vendimin të futesha në koalicion. Dua ta them edhe një gjë…nuk kam nder unë nëse nuk ka nder atdheu im. Nuk kam fjalë unë, nëse nuk ka fjalë atdheu im. Nuk kam fjalë e as besë për askënd, por për atdheun dhe popullin tim”, ka thënë Haradinaj.
Takimi ka vazhduar në bashkëbisedim me qytetarët, të cilët kanë parashtruar pyetje të ndryshme për cështje të ndryshme, ndërkaq të pranishëm ishin edhe anëtarë të strukturave të larta të AAK-së, si nënkryetari në Qendër Ahmet Isufi, kryetarja e Aleancës së Gruas së Kosovës Magbule Shkodra, kryetarja e Aleancës së të Rinjve të Kosovës Diellza Hoti dhe të tjerë.
Komunikatë për media
Ndani këtë artikull