Teatri i Qytetit në Gjilan ishte sonte mikpritës i një mbrëmjeje të veçantë kulturore, ku publiku gjilanas pati rastin të shijojë një koncert festiv të mbushur me muzikë, valle dhe emocion, nën interpretimin e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”.
Ngjarja, e organizuar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Gjilanit, shënoi një tjetër moment të rëndësishëm në kalendarin kulturor të qytetit.
Krahas performancës madhështore të “Shotës”, në skenë u ngjitën edhe Ansambli “Gjilani” dhe Shoqëria Kulturore Artistike “Karadaku”, duke sjellë për publikun një mozaik të pasur të trashëgimisë sonë kulturore dhe artistike.
Kjo mbrëmje artistike jo vetëm që dëshmoi nivelin e lartë të interpretimit folklorik, por edhe njëherë tjetër theksoi rolin e Gjilanit si një vatër e gjallë e kulturës shqiptare – një qytet që ruan, promovon dhe zhvillon trashëgiminë tonë shpirtërore.