Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, raportoi në Komisionin për Mbikëqyrjen e këtij institucioni të sigurisë.
Anëtarët e tij nga opozita nuk pranuan të deklarohen për medie. Por, Salih Zyba nga Vetëvendosje, i cili është nënkryetar i këtij komisioni, tha se Ajeti raportoi edhe për rastin e kërcimeve kundër kryeministrit Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij ditë më parë në Shkup.
Në deklarim për RTK-në, Zyba konfirmoi se drejtori i AKI-së foli në mënyrë specifike për këtë plan dhe thirrjet kërcënuese, për të cilat u shpreh se autoritetet e Kosovës kanë njoftuar edhe ato relevante të Maqedonisë së Veriut.
Pas konfirmimit në Prishtinë se pati kërcënime të tilla, RTK pyeti edhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut, por ata sot nuk kanë kthyer përgjigje.