Gjykata Themelore në Pejë, ka refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i akuzuar për vepra penale të korrupsionit.
Por, në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë ka konsideruar se në rastin e Mustafës dhe të akuzuarve tjerë, s’ka elemente të veprës penale të krimit të organizuar. Ndërsa, ka pushuar procedurën penale ndaj të 11 të akuzuarve të cilët ngarkoheshin me veprën penale të keqpërdorimeve në ekonomi, dhe 19 të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, për shkak të parashkrimit relativ të veprës penale. Prej 29 të akuzuarve se si grup kriminal kishin kryer veprën penale të korrupsionit lidhur me dhënien e tenderëve në Komunën e Gjilanit, sipas vendimit të gjykatës, vetëm 12 të akuzuar, do të ballafaqohen me akuzat e Prokurorisë Speciale për korrupsion dhe atë me kualifikim të ri të veprës penale.
Kjo pasi, Gjykata Themelore në Pejë, ka refuzuar vetëm kërkesat e të pandehurve, Qemail Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Ramush Musliu, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Naser Sylejmani dhe Nazim Jashari, e për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ne shkelje te nenit 422 par.l dhe 2 pika 2.1 lidhur me nenin 31 të KPK-së. Ndërsa, ka pushuar procedurën penale për shkak të arritjes së parashkrimit relativ të ndjekjes penale ndaj te pandehurve: Drita Kajtazi-Bajrami, Agim Hoxha, Qefsere Sadriu, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Muhamet Kastrati,- Heset Mahmuti dhe Fatmir Halili, lIaz Rashiti, Musa Nasufi, Ibrahim Foniqi, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Selvije Shefkiu- Mustafa, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi dhe për Merita Canaj-Shabani, që akuzohen për veprën penale keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar në shkelje të nenit 422 par.l dhe 2 pika 2..1 lidhur me nenin 31 te KPK-së. Po ashtu, gjykata ka bërë ndryshimin e kualifikimit juridik ndaj të akuzuarve, të cilit sipas këtij aktvendimi akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në bashkëveprim, e jo si grup i strukturuar kriminal, siç pretendon Prokuroria Speciale./gazetaexpress/