Ushtria e Kosovës do të votohet në seancën e 14 dhjetorit të këtij viti në Kuvend. Lajmin dje e konfirmoi Kryesia e legjislativit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Tri projektligjet që mundësojnë transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës do të votohen në lexim të dytë në seancën e 14 dhjetorit të këtij viti të Kuvendit.
Kështu kishte raportuar ditë më parë (të shtunën e kaluar) gazeta “Zëri”, duke u thirrur në burimet e veta, të cilin lajm dje e konfirmoi edhe Kryesia e Kuvendit.
Kjo e fundit të hënën vendosi që në seancën e 14 dhjetorit të këtij viti të votohen këto tri projektligje.
Me këtë rast kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë qytetarët për transformimin e FSK-së dhe ka thënë se beson që ligjet për FSK-në do të aprovohen me shumicë absolute të votave. “Më 14 dhjetor do të kemi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Besoj që do të jetë njëri nga ligjet që do të aprovohet me shumicën absolute të votave. Ushtria e Kosovës do të jetë me datën 14 dhjetor. E gëzofshim! Është ushtri e partneritetit, ushtri perëndimore dhe ushtri profesionale”, ka thënë ai.
Në këtë seancë, ku pritet të votohet për transformimin e FSK-së, do të marrin pjesë edhe deputetë të opozitës, të cilët tashmë disa herë kanë bojkotuar seancat e Kuvendit.
Këtë e ka bërë të ditur dje deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Armend Zemaj, i cili pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri është një hap i rëndësishëm për vendin. “Është një hap i rëndësishëm dhe është obligim yni që së paku të japim kontribut vendimmarrës për FSK-në në një hap më tutje. LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e cila do të mbahet për votimin e tri projektligjeve që kanë të bëjnë me FSK-në. Seancat tjera mbeten në vazhdën e grumbullimit të pikëve”, ka thënë ai.