Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, përfundimisht nuk do të jetë në agjendën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të KiE-së që mbahet gjatë javës.
Këtë e kanë konfirmuar për teve1.info nga zyra për media e këtij institucioni.
“Kosova nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave javën e ardhshme. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë”, thuhet nga KiE.
Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.
Agjenda do të përfshijë masat që KiE-ja po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e
Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.
Më 15 prill anëtarësimi i Kosovës kishte kaluar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, ndërsa që pengesë për të hyrë në agjendën e Këshillit të Ministrave u bë Asociacioni.
Disa vende të BE-së, sidomos Franca e Gjermania kishin kërkuar nga Kosova të bëjë hapa konkret për themelimin e Asociacionit, duke nënkuptuar dërgimin e draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javën e kaluar bërë të ditur se nuk e pranojnë formimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE. Ai tha se draftstatutin e BE-së e kishte refuzuar, duke thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Asociacionin si kusht për KiE e kishin vlerësuar edhe disa ambasador në Kosovë dhe eurodeputet.