Dogana e Kosovës njoftoi të martën se gjatë javës së kaluar ka konfiskuar mallra të kontrabanduara në vlerë prej 25 mijë eurosh.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e mallrave të konfiskuara është nga Serbia.
“Mallrat (e kontrabanduara) – pjesa më e madhe është nga Serbia, por ka mallra edhe nga vendet e tjera. Ka edhe kundërvajtje, të cilat janë realizuar në pika të tjera kufitare. Sidoqoftë, nuk mund të themi se është një sasi shumë e madhe, por prapëseprapë, Dogana është vigjilente për t’i ndaluar të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me kontrabandimin e mallrave në Republikën e Kosovës”, tha Stavileci.
Dogana ka zbuluar 18 raste të mallrave të dyshimta si kontrabandë, të cilat kanë qenë kryesisht pije alkoolike dhe joalkoolike, mallra ushqimore dhe teknikë e ndryshme, përcjell albinfo.ch.
Importet nga Serbia në Kosovë kanë rënë prejse Qeveria e Kosovës ka vendosur, në nëntor të vitit të kaluar, taksë doganore 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Para taksës, është vlerësuar se Serbia ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë deri në 1 milion euro në ditë.