Mielli dhe prodhimet e miellit, ilaçet, produktet higjienike, si dhe nafta, janë produktet kryesore që përbëjnë rezervat shtetërore të Kosovës.
Ato mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e katastrofave natyrore, luftërave apo edhe krizave në furnizim, thotë një nga themeluesit e rezervave shtetërore të Kosovës, Shaban Halimi, tashmë në pension.
Lufta në Ukrainë dhe pengesat në zinxhirin furnizues shkaktuan panik në disa prej vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, ku javëve të fundit u rrit kërkesa për blerje të miellit dhe vajrave.
Kjo situatë nxiti edhe debatin se a ka Kosova rezerva të mjaftueshme.
Rezervat shtetërore të Kosovës janë themeluar në vitin 2012.
Halimi që ka ushtruar pozitën e drejtorit të rezervave shtetërore, shpjegon se vendimi për të krijuar rezervat shtetërore të Kosovës, ishte marrë pas rrëshqitjes së një orteku bore në fshatin Restelicë në komunën e Dragashit. Në këtë tragjedi kishin vdekur dhjetë persona.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet nga tragjedia e Restelicës, Halimi thotë se rezervat shtetërore të Kosovës nuk janë zhvilluar sa duhet.
Ai thotë se në rast të ndonjë gjendjeje të jashtëzakonshme natyrore apo agresioni ushtarak, Kosovës i mbarojnë rezervat shtetërore për një periudhë prej dhjetë ditësh.
“Qeveria duhet të reflektojë dhe të kuptojë rolin dhe rëndësinë e rezervave shtetërore që mund të kenë ato në rast të agresionit, fatkeqësive natyrore e mos dhëntë Zoti, edhe në rast të ndonjë lufte”, thekson Halimi.
Halimi i rekomandon Qeverisë të rrisë sasinë e rezervave, nisur nga produktet bazike për jetesë.
“Qeveria duhet ta rrisë sasinë e miellit si produkt kryesor. Të ketë miell për periudhë sa më të gjatë. Pastaj naftën, sepse nafta paralizon jetën në përgjithësi, e pastaj vijnë produktet e tjera ushqimore të gatshme siç janë pastat, kripa, sheqeri, vaji e të tjera, mjetet higjienike, por assesi nuk duhet përjashtuar ujin sepse është produkt kryesor për jetën”, thotë Halimi.
Qeveria: Kemi rritur sasinë e rezervave shtetërore
Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare publike nga institucionet, sa i takon sasisë së grurit, në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, thonë se sasia e grurit në dispozicion mbulon nevojat për më së shumti tre muaj.
“Në Kosovë duhet të jenë diku edhe 40 mijë deri në 50 mijë tonë grurë pa i marrë parasysh rezervat e fermerëve që janë nëpër shtëpitë e tyre. Unë mendoj se ka sasi të madhe te fermerët, sepse po e shohim kohëve të fundit se është rritur kërkesa për shitje të grurit nga fermerët, sepse ka çmim të leverdishëm dhe ata janë të interesuar ta shesin”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bashkim Zejnullahu, drejtues i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës.
Kërkesa për grurë për kokë banori në Kosovë sillet rreth 200 kilogramë, ose në total rreth 400 mijë tonë grurë në vit./rel/