Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, është prononcuar për media pas takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ku ka njoftuar se me zyrtarë të LDK-së kanë biseduar për çështjen e shëndetësisë dhe arsimit.
Konjufca po ashtu është pyetur edhe për Lutfi Hazirin i cili është emëruar shef i ekipit negociator të LDK-së për bisedimet me VV-në dhe për qëndrimet e tij të fundit se posti i kryeministrit i takon vetëm LDK-së, shkruan Gazeta Insajderi.
Konjufca ka thënë se Haziri i ka kontribuar në të mirë atmosferës së këtij takimi.
“Isha pjesë e takimit dhe e tëra që mund të them është që ai i ka kontribuar kësaj atmosfere të mirë të pajtueshmërisë. Ne folëm për arsimin dhe shëndetësinë dhe ende nuk e kemi caktuar një takim në të cilin do të flitet ndarja e dikastereve. Ne e kemi zgjedhur një strategji të caktuar negociatore që ka qenë pajtushmëria sa më e madhe”, ka thënë Konjufca.
Pas përfundimit të këtij takimi, Konjufca ka treguar se kanë biseduar për Shëndetësinë dhe Arsimin. Ai ka thënë që ky ka qenë një ndër takimet në të cilin këto subjekte politike janë pajtuar plotësisht.
“Grupet tona i shpalosën qëndrimet e secilit subjekt përkatës politik. Ka qenë një takim që është zhvilluar në pajtueshmëri dhe atmosferë të bashkëpunimit. Jemi pajtuar 100% për temat që i kemi ngritur për këto fusha të rëndësishme të jetës sonë”, është shprehur ai.
Ndërsa ka thënë që për secilën fushë janë trajtuar se paku 10 tema kryesore dhe theksoi se kanë gjetur pajtueshmëri thuajse të plotë.
“Problemet kanë qenë të natyrës teknike dhe kohore, do të thotë se sa jemi në gjendje t’i arrijmë ato. Takimi i pestë ka pasur pajtueshmëri shumë të madhe sa i përket bisedimeve”, ka pohuar Konjufca.