Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistoj se marrëveshja e nënshkruar në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është e dëmshme për shtetin tonë.
Në një intervistë në Rubikon të Klan Kosovës, nënkryetari i këtij subjekti Glauk Konjufca, tha se hyrja e Kosovës në Minishengen, pika për Ujmanin dhe heqja dorë nga aplikimi për anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, janë pikat më të këqija për të cilat kryeministri Hoti e ka vendosur nënshkrimin.
“ Në pikën për Ujmanin sikur edhe Serbia është bërë hisenike”, tha Konjufca.
Sipas tij disa pika të marrëveshjes së Uashingtonit janë bërë me kërkesë të Serbisë.
“ Nëse e shihni tani Serbia është duke e shkelur marrëveshjen. Kemi parë deklarata të zyrtarëve të Serbisë që i kanë kërkua Izraelit mos ta njoh Kosovën si dhe kemi parë hapjen e qendrës së Hauweit në Serbi. Këto paraqesin shkelje të marrëveshje”, tha Konjufca.
Pikë e vetme e mirë në këtë marrëveshje, sipas ish ministrit të jashtëm, është njohja e Kosovës nga ana e Izraelit.
Ai e mbrojti qëndrimin e liderit të partisë së tij Albin Kurti, se nëse VV vjen në pushtet atëherë kjo marrëveshje nuk do të zbatohet.
“ Për besë kjo marrëveshje është kolaps automatik i shtetit të Kosovës. Pikat e marrëveshjes janë shkatërruese për ekonominë dhe është e çuditshme se si Avdullah Hoti si ekonomist e ka nënshkruar”, tha Konjufca.