Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, po i konsideron si të padrejta masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian, raporton Gazeta Sinjali.
Konjufca ka thënë se ndonëse përgjegjësia e Vuçiqit është e drejtpërdrejtë, po duket sikur se Serbia nuk ka asnjë përgjegjësi për ato që po ndodhin në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit.
“Nga ky aspekt më duken si të padrejta, thuajse se Serbia ska kurrfarë përgjegjësie për ato që po ndodhin në veri. Përgjegjësia e Vuçiqit është e drejtpërdrejtë. ka dalë publikisht dhe i ka kërkuar serbëve të japin dorëheqje, ai e filloi. Institucionet mbeten vakante. Tash ishin dy opsione ose të triumfonte ai Vuçiqit ose ai i Kosovës. Dy herë e kemi shtyrë afatin për zgjedhjet”, tha Konjufca në T7.
Konjufca tha se në Veri u pa nga kush u shkaktua dhuna, prandaj tha se e pikëllon që masat nga BE u morën vetëm ndaj Kosovës.
“Deputeti i Bundestagut e publikoi videon e atij që ushtronte dhunë ndaj KFOR-it. Ai ishte polic i Serbisë dhe pasdite kishte ardhur këtu për dhunë. Kur i sheh të gjitha këto dhe me marrë masa ndaj Kosovës, kjo po më pikëllon”.
Për zgjedhjet në Veri, Konjufca tha se e kanë kohën e tyre edhe në aspektin që duhet të ketë një rrugë ligjore si të shkohet atje.
“Do të ishte jodemoratike të kërkohet dorëheqje e kryetarëve. Ata s’kanë vullnet për të dhënë dorëheqje. Nënshkrimet duhet të grumbullohen nga qytetarët. Për këtë është pajtuar kryeministri, BE, por edhe Serbia është pajtuar me këtë”.