Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në shënimin e 26-vjetorit të Ditës së Dëshmorëve të Dukagjinit, ka bërë homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan, për t`i përkujtuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të rënë në përballjen frontale kundër forcave okupatore të Serbisë.
“Në këtë 26-vjetor të Ditës së Dëshmorëve të Dukagjinit, bëra homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan, për t’i përkujtuar dhe nderuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të rënë në përballjen frontale kundër forcave okupatore të Serbisë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Kreu i Kuvendit tha se Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, sipas tij, ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë.
“Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të cilët ranë heroikisht më 24 mars të vitit 1998, nuk e dinin se pikërisht pas një viti, më 24 mars 1999 do të fillonte fushata e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve të forcave okupatore të Serbisë. Ata dinin vetëm se me guximin dhe vendosmërinë e tyre ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë. Ata ishin të bindur se gjaku i dëshmorëve e sjell lirinë e popullit tone”, tha Konjufca.