Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski të hënën ka qëndruar në shtabin qendrorë të koalicionit VLEN në Shkup, ku ta takuar ish-kandidatin për president të këtij koalicioni, Arben Taravarin.
Pas publikimit të fotografisë nga shtrëngimi i duarve, në mungesë të informatave, lindën shumë pyetje, se për çfarë faktikisht është biseduar në këtë takim, për mbështetje të kandidatës së VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovskës në rreth të dytë apo për marrëveshje të mundshme për formimin e qeverisë.
Megjithatë, takimi si duket ka kaluar pa i njoftuar mbështetësit e koalicionit VLEN nga Kosova.
Këtë e dëshmon deklarata e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili gjatë një prononcimi tha se nuk ka qenë në dijeni për këtë takim dhe se nuk do t’u kishte preferuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që ta votojnë kandidaten e VMRO-DPMNE-së për presidente, pasi që e njëjta ka koncept antishqiptar tha Konjufca.
“Nuk qenkam i informuar për këtë takim. Mirëpo po të besoj, duke supozu që është e vërtetë, çka me thënë… Sa i kam parë unë personalisht, ato konceptet politike që i ka zhvilluar edhe Gordana Siljanovska, ato janë shumë koncepte antishqiptare. Ka një dyshim dmth për popullatën shqiptare atje dhe për të drejtat e saj. Unë jam shumë kundër këtyre koncepteve” ka thënë Glauk Konjufca.
Tutje ai shtoi:
“Unë do të isha kundër çfarëdo le të themi mbështetje të çfarëdo shqiptari për koncepte të tilla. Për arsye se unë i kam dëgjuar ato me vëmendje, është një koncept antishqiptar që e ka shpjegu vetë kandidatja”
“Unë nuk do të preferoja kurrfarë opsioni të tillë sepse është në dëm të shqiptarëve” përfundoi Glauk Konjufca, Kryetar i Parlamentit të Kosovës.
Kandidatja e VMRO-DPMNE-së për president të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silnjaovska Davkova zhvilloi një fushatë me retorikë nacionaliste madje duke propozuar edhe formimin e një tribunali për luftën e UÇK-së së vitit 2001.