Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se do i dëgjojë kërkesat e opozitës, duke përmendur shtyrjen e takimit me LDK-në nga kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku.
Konjufca, ka thënë se Abdixhiku tashmë është në opozitë dhe ata duhet respektuar, derisa kritikoi qasjen e legjislaturave të mëhershme karshi opozitës. Ai këto komente i bëri në emisionin ‘Rubikon’. “T’premten, t’premten. Kur t’don Z. Abdixhiku. Z. Abdixhiku tash është opozita, dhe opozitën duhet me e respektu, jo si ata që opozitën si VV e çojshin në burg në vitin 2012 dhe 2015. Është qasje e gabueshme”, deklaroi ai.
Ndërkaq, Abdixhiku në ditën e parë të punës, pas bërjes së homazheve tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, tha se po presin konfirmimin e VV’së për mbajtjen e takimit të premten.
“Siç kam deklaruar dje, po presim për konfirmimin e takimit të së premtes, ditën e propozuar nga ne. Meqenëse gjatë kësaj jave do të jemi në proces të konsituimit të organeve. Do të jemi konstituiv në frymën themeltare të LDK-së, përfshirë edhe të presidentit Rugova dhe secilit veprimtarë të LDK-së që kontriubon në mirëmbajtjen e institucioneve të Kosovës dhe jo në rrënimin dhe dëmtimin e tyre… Ne do t’i dërgojmë edhe zyrtarisht një letër të shkruar siç e kemi marrë letrën sot. Propozimi jonë është për ditën e premte këtë javë”, ka deklaruar ai.