Talat Xhaferit, homologut nga Shkupi, i ofroi pritje dinjitoze shtetërore.
Me Maqedoninë e Veriut, që është fqinj jugor, Prishtina do t’i ndreqë e forcojë edhe më shumë raportet, por sipas nikoqirit të tij, Glauk Konjufca, Republikës së Kosovës mund t’i dalin telashe me fqinjin verior.
“Marrëdhëniet me Serbinë ne i kemi shumë më të këqija se që i ka pasë Federata Ruse me Ukrainën. Nga ky kuptim unë mendoj që duhet të kemi kujdes të shtuar në relacion me Serbinë. Kurrë nuk duhet ta përjashtojmë mundësinë e një agresioni serb mbi Republikën e Kosovës”.
Nisur nga ky “pretendim e postulat”, siç e quan Konjufca, duhet rritur kapaciteti i FSK-së për armatim.
“Republika e Kosovës padyshim që duhet ta ketë edhe nivelin artilerik të ushtrisë së vetë. Natyrisht të gjitha këto duhet t’i bëjmë në partneritet të ngushtë me NATO-n. Duhet t’i bindim si partnerë që Kosova ka nevojë për këtë gjë”.
Kryeparlamentari, që vjen nga Vetëvendosja, parti kjo që ka edhe qeverinë, tha se pret që ekzekutivi të aplikojë sivjet për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Hyrjen në NATO e sheh si proces të gjatë e serioz.
Mysafiri nga Shkupi tha se Maqedonia e Veriut është me Kosovën në planet për BE dhe NATO.
Talat Xhaferi zhvilloi takime edhe me politikanë të tjerë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti.