Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk e ka pritur që do të lirohet tërësisht nga akuza për hedhje të gazit lotsjellës.
Konjufca u shpreh se nuk do ta kishte pasur problem edhe nëse do të dënohej, pasi siç tha ai, ishte i përgatitur për një gjë të tillë.
“Ka qenë proces që është zvarritur se tepërmi. Nuk ka qenë proces gjyqësor me standarde të njëjta, kanë ndodh edhe dënime me kusht edhe me gjobë që është dënim më i ulët, më i ndryshëm, s’ka pasur standarde. Në momentin që nuk është vendosur përmes një kriteri të njëjtë, mendoj që qysh në atë kohë gjykata i ka ndryshuara standardet dhe pastaj as unë vetë nuk e kam ditur çfarë dënimi do të më pres, por që lirohem krejt ka qenë befasi edhe për mua. Kam pritur që do të jetë dënim me kusht ose me gjobë, mirëpo me siguri gjykata është bazuar tek dëshmitarët, nuk dëshiroj të futem thellë për çfarë arsye e ka marr këtë vendim. Nuk do ta kisha problem të isha edhe i dënuar, isha i përgatitur për këtë gjë”, tha kryekuvendari, njofton Klankosova.tv.