Njohësit e fushës po konsiderojnë se institucionet e vendit kanë dështuar në përçimin e informatave se cilat janë të drejta e konsumatorit.
Ata po vlerësojnë se konsumatorët në vend ende nuk kanë arritur që të kenë mbrojtjen e duhur ligjore, e sipas tyre kjo krejt fillon ngase ata nuk janë mirë të informuar për të drejtat dhe obligimet që ju takojnë.
Dardan Abazi, nga INDEP në një intervistë për Ekonomia Online është shprehur se konsumatorët ende nuk e kanë mbrojtjen e duhur ligjore.
Sipas Abazit diskursi publik është dominuar me tema politike, e që kjo ka ndikuar që të mos flitet shumë për të drejtat e konsumatorëve.
“Unë mendoj që konsumatorët ende nuk kanë arritur që të kenë mbrojtjen e duhur ligjore në Kosovë dhe kjo fillon me faktin që ata nuk janë shumë të informuar për të drejtat e tyre dhe institucionet kanë dështuar që të përçojnë mesazhe se cilat janë të drejtat e konsumatorëve, cila është rruga për realizimin e të drejtave dhe në këtë kuadër po mundohemi që ne të plotësojmë këtë mangësi dhe për një kohë të gjatë diskursi publik është dominuar nga tema politike, të cilat kanë lënë anash çështjen e të drejtave të konsumatorëve”, ka deklaruar Abazi.
“…kemi shkelje të sigurisë së produkteve ku një pjesë e madhe e tyre vinë të prishura ose kanë afatin e skaduar dhe kemi institucione sic janë AUVK të cilat nuk kanë kapacitetin e duhur për të kryer inspektime të rregullta. Zbritjet janë fallco pra nuk janë ato të vërtetat të cilat paralajmërohen”.
Abazi tutje ka shtuar se ka pasur edhe ngritje të çmimeve qysh në fillim të pandemisë, madje te ato produkte që kanë qenë bazë për konsumatorët.
“Ka pasur një ngritje të lehtë në fillim të pandemisë kryesisht në produktet që kanë qenë bazë për konsumatorët në atë kohë, pra produkte që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë më menaxhimin e pandemisë qoftë barnat, masat mbrojtëse dhe dezinfektues të ndryshëm të cilët në kohën më të vështirë ka pasur një ngritje të çmimeve të tyre dhe kjo pak si rrjedhojë se ka pasur kërkesë më të lartë të produkteve në atë dhe se ka munguar një kapacitet monitorues të institucioneve në atë mënyrë që të evitohen abuzimet me çmimet dhe mbrohen konsumatorët”.
Ai ka treguar edhe lidhur me ankesat që i kanë drejtuar konsumatorët, e që sipas tij, numri i përgjithshëm i ankesave është mbi 200. E më e shpeshta ka qenë kur produktet e caktuara nuk e kanë pranë çmimin.
“Ka pasur vazhdimisht ankesa të konsumatorëve për ngritje të çmimeve për ndryshim të çmimeve aty për aty dhe ka pasur raste kur konsumatori kanë shkuar dhe kanë blerë një produkt, dhe kryesisht ka pasur ankesa për produkte farmaceutike, pra kanë blerë një produkt me një çmim të caktuar pastaj menjëherë është shtrenjtuar pa asnjë lloj paralajmërimi dhe ka pasur pra një lloj mungese të respektimit të çmimit për produktet e caktuara”.
“Ne marrim ankesa edhe sa i takon vendosjes së çmimeve pran produkteve që është kërkese e ligjit për mbrojtjen e konsumatorit dhe kjo edhe në shumë raste nuk respektohet, sepse nuk e kanë çmimin e tyre të caktuar”.
“Vetëm në faqen tonë ne kemi marr mbi 200 ankesa të konsumatorëve dhe ka qenë vërtet shqetësuese sepse numri i tyre është rritur në mënyrë të.
Edhe kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku në një intervistë për Ekonomia Online tha se Qeveria e ka për detyrë t’i njoftojë konsumatorët për të drejtat dhe obligimet e tyre.
Sipas, Kaçanikut produktet që kanë pasur rritjen më të madhe të çmimit kanë qenë ato bazike, e krejt kjo ngritje sipas tij, ka ardhur pasi që shumica e bizneseve kanë menduar se mund të përfitojnë nga pandemia.
“Ta marrim rastin se vetëm në fushatën elektorale asnjë parti politike nuk e tha asnjë pikë e asnjë presje dhe ne nuk përfillemi fare dhe është obligim i Qeverisë që qytetarin konsumatorë ta informojnë për të drejtat dhe obligimet, por si duket këto Qeveri dhe ministri nuk na duan për partnerë”.
“Profiterave në këtë kohë nuk duhet me ju dhënë shans dhe Qeveria nuk duhet të merret me ta. Dikush ka menduar se mund ta shfrytëzojë pandeminë dhe dikush tjetër se mund të shfrytëzojë këtë mos nxënien e hapit të Qeverisë së re. Kryesisht produktet e shportës së konsumatorit, ka pasur tendencë që një kohë të rriten edhe çmimet e kafesë, të çajit”.