“Kështu që nuk do të merret aq lehtë ky liberalizim” Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion Shaip Havolli tha sot se liberalizimi i vizave nuk do të merret aq lehtë nëse të gjitha institucionet nuk angazhohen në luftën kundër korrupsionit. Gjatë konferencës në të cilën prezantoi raportin vjetor për vitin 2017 Havolli tha se korrupsioni është kusht për viza dhe që sipas tij është goxha i pakalueshëm. “Situata në terren nuk është ashtu bash krejt.
Çështja e demarkacionit është kalkuluar prioritet, tash është luftimi i korrupsionit edhe pse disa po thonë që s’ka çdo gjë ka mbaruar. Unë po ju tregoj që jo. Edhe në takime edhe me zyrtarët vendorë edhe me ndërkombëtarë kusht goxha i pakalueshëm është edhe çështja e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kështu që nuk do të merret aq lehtë ky liberalizim nëse ne nuk tregojmë një angazhim të madh të gjitha institucionet”, tha Havolli. Shefi i Antikorrupsionit ka prezantuar të dhënat e Agjencisë për vitin që shkoi ku sipas tij Agjencia ka pasur në trajtim gjithsej 357 raste, në të cilën përfshihen rastet e hetimit, parandalimit , prokurimit, çështje të ndryshme të konfliktit të interesit.
“Pra 357 raste i ka pasur në trajtim, 45 raste kanë qenë nga viti paraprak , ndërsa 312 raste kanë qenë vetëm të vitit 2017. Nga gjithsej këto raste Agjencia ka ushtruar kallëzime penale në 89 raste , ndërsa 109 raste së bashku me kallëzime penale i ka dërguar në prokuroritë përkatëse polici dhe institucione të tjera. 18 raste janë dërguar nëpër organet kompetente për shqyrtimin e masave administrative . Në ato raste kur gjatë trajtimit nuk ka pasur element të veprës penale Agjencia ka vërtetuar që ka shkelje të rregulloreve të udhëzimeve të brendshme dhe kode të etikës dhe shumë shpejt pritet që institucionet të marrin masa ndaj këtyre zyrtare. Në mesin e këtyre zyrtarëve që i kemi dërguar për me marr masa administrative ka sekretarë permanent , drejtorë të agjencive të ndryshme dhe institucione të tjera. 92 raste janë mbyllur, 139 raste janë ende në procedurë të hetimeve ndërsa 35 raste kanë qenë informata anonime që i kemi trajtuar”,tha Havolli.
Ai tha se në prokurori i kanë dërguar rastet që kanë të bëjnë me veprat penale , mos deklarim të pasurisë, deklarim i rremë ose deklarim pas afatit, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autoritetit, konflikt interesi si dhe çështjet që kanë të bëjnë me çështjen e prokurimit publik. Ndërsa ka thënë se për të gjitha llojet e deklarimeve në agjenci kanë qenë të obliguar të deklarojnë pasurinë 6 mijë 242 zyrtarë. “Nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve që kanë pasur obligim ta deklarojnë pasurinë në 2016 ka qenë 4 mijë e 498 nga 20 përqind i shortit ne kemi trajtuar 886 zyrtarë të cilët u janë nënshtruar kontrollit të plotë në 563 raste nuk është vërtetuar se ka ndonjë ndryshim sa i përket çështjes të të hyrave dhe pasurisë , në 344 raste janë vërejtur disa ndryshime ndërsa në 115 raste janë vërejtur ndryshime të mëdha sa i përket çështjes së pasurisë dhe këto raste i kemi dërguar në departamentin për hetime për të trajtuar ku në mesin e tyre departamenti i hetimeve ka ushtruar edhe kallëzime penale.
Një rast e kemi dërguar në ATK për çështje tatimore dhe po ashtu 48 raste kanë deklaruar pas afatit, 24 nuk kanë deklaruar hiq dhe 3 raste kanë qenë me arsye sa i përket deklarimit”, tha Havolli. Ai po ashtu ka thënë se në rastet e hetimit të pasurisë kanë hasur edhe në të hyra të deklaruara nga zyrtarët nga qiraja ku njëfarë forme krijojnë shkallë të informalitetit. “Si rezultat i këtij kontrolli në i kemi dorëzuar në ATK me qëllim që ATK aty të ketë një rol rreth deklarimit të pasurisë sepse shumë zyrtarë kanë të hyra nga qiraja por nuk kanë deklaruar në ATK, si rezultat Agjencia ka kontribuar në pengimin ose zvogëlimin e in formalitetit”, tha Havolli. Te çështja e deklarimit të dhuratave ai tha se 11 institucione kanë deklaruar se kanë pranuar dhurata , ndërsa 36 institucione kanë deklaruar se nuk kanë pranuar dhurata. Havolli theksoi se gjatë vitit 2017 kanë hasur në pengesa gjatë trajtimit të rasteve të prokurimit publik, pasi sipas tij ka hyrë në funksion edhe prokurimi publik duke pamundësuar qasjen e plotë. Por sipas tij, Agjencia gjatë këtij viti ka trajtuar 48 raste sa i përket shkeljeve të mundshme të ligjit të prokurimit publik. Ndërsa ka dhënë 14 opinione e që në disa raste janë mbyllur.
Ndërsa tek konflikti i interesit ka thënë se i kanë trajtuar 166 raste, 79 prej të cilave u janë shmangur konfliktit të interesit, 21 raste kanë rezultuar pa konflikt të interesit ndërsa 31 raste janë proceduar në hetim të mëtutjeshëm. Sipas Havollit 1 rast është shkuar në kundërvajtje dhe shkarkim nga pozita dhe janë dhënë 34 opinione. Ndryshe, Agjencia është duke iu nënshtruar një rishikimi të përgjithshëm të kornizës ligjore dhe operacionale. Havolli njoftoi se Ligji për konflikt të interesit ka kaluar në lexim të parë në Kuvend ku në këtë ligj pritet të ketë ndryshime sa i përket çështjet të punësimeve të shumëfishta të zyrtarëve të lartë.