Kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim pa gola ndaj Sllovenisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Sfida e zhvilluar sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultatin 0-0.
Në pjesën e parë, Dardanët treguan më shumë iniciativë dhe presion ndaj portës kundërshtare, duke kërkuar golin që do t’i afronte më shumë objektivit për kualifikim.
Megjithatë, në minutat e fundit të fraksionit të parë, Benjamin Sesko i Sllovenisë rrezikoi seriozisht, por pa sukses.
Në pjesën e dytë, Sllovenia u shfaq më kërcënuese, me disa raste të pastra shënimi, ku spikati sërish Sesko, por portieri Aro Muriç dhe mbrojtësi Albian Hajdari ndërhynë me kohë, duke mbajtur të paprekur portën e Kosovës.
Pavarësisht përpjekjeve dhe angazhimit të lojtarëve tanë, Kosova nuk arriti të thyejë mbrojtjen e fortë sllovene, duke u mbyllur kështu kjo sfidë pa gola.
Me këtë barazim, Kosova mbetet në vendin e dytë të Grupit B me 4 pikë, dy më shumë se Sllovenia. Grupin e kryeson Zvicra me 9 pikë, pas fitores sonte në udhëtim ndaj Suedisë me rezultatin 2-0.
Ndeshjen e radhës, Kosova do ta zhvillojë të hënën, në udhëtim ndaj Suedisë, ku Dardanët do të kërkojnë fitoren për të qëndruar në garë për kualifikim në Botërorin 2026.