Në kuadër të vizitës zyrtare në Portugali, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në një pritje të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Portugali, në bashkëpunim me Konfederatën e Bizneseve të Komunitetit të Vendeve Portugalishtfolëse.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të bizneseve nga Portugalia, Brazili, Kepi i Gjelbër, Guinea-Bisau dhe Angola. Nën drejtimin e dr. Nelma Fernandes, Konfederata shërben si platformë për ndërlidhjen e bizneseve nga vendet e komunitetit portugalishtfolës me Kosovën, duke krijuar mundësi për bashkëpunim, partneritete dhe shkëmbim ekonomik.
Një mundësi shtesë për zgjerimin e këtyre lidhjeve paraqet anëtarësimi i fundit i Odës Ekonomike të Kosovës si anëtare e asociuar në këtë Konfederatë. Ky anëtarësim krijon një kanal të drejtpërdrejtë për zhvillimin e kontakteve të reja biznesore dhe partneriteteve ndërkombëtare.
Gjatë aktivitetit u bë e ditur se do të punohet për organizimin e Forumit Ekonomik Kosovë–Portugali në pranverën e vitit të ardhshëm, me synimin që kontaktet dhe mundësitë e krijuara të konkretizohen përmes bashkëpunimeve, investimeve dhe mundësive të reja për bizneset e të dyja vendeve.










