Kosova dhe Serbia kanë afat deri në fund të javës tjetër (18 korrik) t’i dorëzojnë komentet e tyre para ndërmjetësve evropianë rreth rrugës drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ndërsa Parlamenti Evropian (PE) në të njëjtën ditë pritet të votojë për Komisionin e ri Evropian (KE) për një mandat tjetër prej pesë vjetësh.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi e Petar Petkoviç – u takuan më 2 korrik në Bruksel të Belgjikës në një cikël të ri bisedimesh në kuadër të procesit të dialogut, por pavarësisht “maratonës diplomatike” të asaj dite, nuk ka pasur ndonjë lëvizje të rëndësishme. Megjithatë, zyrtarët evropianë vendosën 18 korrikut si afat për komentet e palëve.
Bislimi deklaroi pas takimit se pala serbe ishte e interesuar vetëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke njoftuar njëkohësisht se deri më 18 korrik “qeveria e Kosovës do t’i dërgojë komentet me shkrim mbi Marrëveshjen Bazë”. “Kjo do të tregojë se Serbia nuk do ta respektojë marrëveshjen”, shtoi ndër të tjera zëvendëskryeministri i Kosovës.
Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën e javës së kaluar, derisa njoftoi për një vizitë në Londër të Britanisë së Madhe, theksoi se në takimin e fundit të kryenegociatorëve janë bërë “hapa konkretë” në disa çështje praktike, por nuk ka pasur progres në zbatimin e marrëveshjes.
“Pas më shumë se shtatë orësh diskutimesh intensive, ne u pajtuam për hapat e ardhshëm konkretë për disa çështje praktike. Fatkeqësisht, nuk arritëm progres në kornizën e madhe – zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, u shprah Lajçaku, mandati i të cilit u zgjat së fundmi në përpjekje për t’i dhënë edhe një shtysë procesit të dialogut Prishtinë-Beograd.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili gjithashtu është në fund të mandatit, synon t’ia lërë në dorë kryediplomatit të ardhshëm evropian zgjedhjen e emisarit të ri për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Dhe kjo konsiderohet të jetë një arsye tjetër pse BE-ja vendosi t’ia zgjasë mandatin Laçakut deri në janar 2025.
Në një përmbledhje të ngjarjeve dhe zhvillimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përgjatë mandatit pesëvjeçar, shefi i diplomacisë evropiane konsideroi se për të ecur përpara, liderët duhet guxim e vizion: “Pas disa muajsh, njerëz të ndryshëm do të jenë në krye, por pritshmëritë e BE-së nuk do të ndryshojnë”.
“Të gjithë do të jenë duke kërkuar për gatishmërinë e presidentit serb [Aleksandër Vuçiç] dhe kryeministrit të Kosovës [Albin Kurti] për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane për popullin e tyre. Në fund, duhet guxim, vizion dhe vullnet politik. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në çdo hap gjatë rrugës”, potencoi mes tjerash Borrelli në një tekst autorial.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.
Kosova, ndërkohë, nuk ka pranuar që prioritet kryesor të jetë themelimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, apo që zbatimi i marrëveshjes të nisë nga themelimi i këtij mekanizmi, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet që burojnë dialogu, kryesisht sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe integritetit territorial të Kosovës.
Kryeministri Kurti paraqiti tre kushte që, sipas tij, duhen plotësuar nga Serbia si garanci se pala serbe do të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog, duke filluar nga dorëzimi i kreut të grupit paramilitar, Millan Radoiçiç, para organeve të drejtësisë në Kosovë, i cili, pavarësisht agresionit të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Ndërkaq, duke folur për dështimin e takimit trelateral në fund të qershorit, pavarësisht përpjekjeve të Borrellit e Lajçakut, presidenti Vuçiç ndër të tjera pretendoi: “Ata nuk duan dialog, duan njohje de jure përmes tre kushteve. Kjo nuk do të ndodhë. Kjo nuk është njohje de facto, kjo është njohje de jure, dhe kjo është ajo që ata kërkojnë, kjo është ajo që ata dëshirojnë”.
Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë edhe në javët në vijim, mbetet për t’u parë nëse “skenarët e dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohen, apo Kosova dhe Serbia do të fillojnë zbatimin paralel të marrëveshjeve në funksion të kauzës së paqes.