Kosova dhe Serbia aktualisht nuk janë duke zhvilluar takime në kuadër të dialogut të drejtuar nga Brukseli. Aktualisht vendi është në kohë zgjedhjesh e pa institucione të formuara. E nga BE’ja që udhëheq me këtë proces po deklarojnë që marrëveshja finale mes vendeve nuk do të arrihet në një të ardhme të afërt
Duket se marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të arrihet as gjatë këtij viti. Të paktën kështu deklaroi i dërguari i posaçëm i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në këtë fillim javë ai tha se nuk pret që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në një të ardhme të afërt, shkruan Gazeta Express.
Arsye për këtë ngecje sipas Lajçakut është edhe situata momentale në Kosovë dhe zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen këtë të diel.
Se ujdia në mes të Kosovës dhe Serbisë është larg po e thotë edhe Violeta Haxholli, monitoruese e këtij procesi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Ajo tha për Express se mes shteteve ka ende elemente të marrëveshjes finale për të cilat palët nuk kanë arritur dakordim.
“Po se një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë është larg, është ditur duke parë vazhdimisht sa larg kanë qenë palët, Kosova dhe Serbia, me qëndrime sa i përket elementeve të marrëveshjes finale. Disa nga këto elemente janë diskutuar ne takimet e dialogut megjithatë mbeten ende çështje për të cilat palët ende nuk kane arritur dakordim”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhollit arritja e marrëveshjes në afat sa më të shkurtët kohorë është në vullnetin e shteteve dialoguese.
“Pavarësisht vullnetit dhe qëllimit të mirë të ndërmjetësve të dialogut që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje finale, kjo varet në fund nga vullneti i Kosovës dhe Serbisë se sa ato do të jene te gatshme të arrijnë këtë marrëveshje. .
Për sa i përket mosrealizimit të takimeve përgjatë këtyre muajve, monitoruesja e KDI’së, deklaroi se ka ngecje për shkak se Kosova është në proces zgjedhor.
“Aktualisht takimet e dialogut nuk po vazhdojnë sepse Kosova është në proces zgjedhor, por besoj se sapo te formohen institucionet e reja dialogu do të vazhdojë dhe kjo teme do jetë një nga sfidat e para të Qeverisë, presidentit dhe Kuvendit të ri”, ka thënë më tutje ajo.
E mosuniteti dhe përçarjet politike sipas Haxhollit mund ta dëmtojnë Kosovën në këtë proces.
“Prandaj pala kosovare duhet të jetë e gatshme të trajtojë këtë temë me seriozitet dhe konsensus të gjerë politik Në të kundërtën pozicioni i Kosovës në dialog do të vazhdojë të dëmtohet nga përçarjet partiake dhe mungesa e qëndrimit unik për këtë çështje”, ka thënë ajo për Express.
Kujtojmë që marrëveshje me njohje reciproke para disa ditësh ka kërkuar edhe presidenti i posazgjedhur amerikan, Joe Biden.
Ai përmes një letre dërguar presidentit serb ka kërkuar që shtetet të arrijnë një marrëveshje me njohje të ndërsjellë.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin e komunitetit serb në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Ndërkaq, zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve nga ky dialog, Kosovës dhe Serbisë, u është vënë si kusht në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.
Kosova dhe Serbia kanë filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me lehtësim të Bashkimit Evropian që prej vitit 2011. /Express/