Kosova dhe SHBA’ja me dialog strategjik krejt në fund të mandatit të administratës Biden
Presidentja Vjosa Osmani sot ka pritur në takim zëvendëssekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma. Siç njoftoi Presidenca, në këtë takim u ritheksua aleanca e palëkundur mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u diskutuan mënyrat për thellimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve.
Në këtë takim, Osmani ritheksoi propozimin që i ka bërë SHBA-ve, që nga viti 2021 për dialog strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve, si një platformë që do të shërbente për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm.
Në këtë drejtim, Zv.Sekretari Verma i dha Presidentes Osmani lajmin e shkëlqyeshëm se marrëveshja për dialog strategjik në mes vendeve tona do të finalizohet së shpejti dhe u dakorduan që ekipet tona të punojnë intensivisht në ditët në vazhdim lidhur me këtë proces”, tha Presidenca.
Të dyja palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë për të avancuar interesat e përbashkëta dhe për të forcuar partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në takim u diskutua gjithashtu “për përkushtimin e Kosovës për reforma në sundimin e ligjit, avancimin e qeverisjes së mirë dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm për investime dhe zhvillim ekonomik”.
Osmani dhe Verma diskutuan gjithashtu kontributin e Kosovës në çështjet ndërkombëtare, përfshirë pritjen e qytetarëve afganë, mbështetjen për Ukrainën dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e paqes dhe sigurisë globale.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane të SHBA-së për Kosovën, duke theksuar rolin vendimtar të Uashingtonit në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe forcimit të institucioneve demokratike”.