Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Burimet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se aplikacioni është i gatshëm dhe se aplikimi do të bëhet së shpejti, me siguri të enjten.
Mundësinë e aplikimit të Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës e ka përmendur të mërkurën ne Bruksel presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se me këtë, Kosova po e shkel Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Uashingtonit.
Përpara darkës joformale të organizuar nga Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj, Vuçiq tha se “është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin dhe Serbinë”.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg. Nga kjo organizate është përjashtuar Rusia se fundmi, dhe tani në ketë organizatë ekziston shumica e 2/3 te votave të nevojshme për anëtarësimin e Kosovës. /REL