Që nga data 8 shkurt deri më 1 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 7.644 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 813 raste, me gjithsej 22 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në Kosovë tash e pesë ditë me radhë po vazhdon trendi pozitiv, me numër më të madh të të shëruarve në krahasim me numrin e të infektuarve, shkruan Reporteri.
Gjatë ditës së djeshme me Covid-19 kanë rezultuar pozitiv vetëm 7 raste, derisa janë shëruar 27 të tjerë.
Rastet pozitive janë raste kontakti dhe sipas vendbanimit: gjashtë (6) raste nga komuna e Prizrenit dhe një (1) rast nga komuna e Suharekës.
Numri i përgjithshëm i të shëruarave deri më sot është gjithsej dyqind e nëntëdhjetë e tetë (298) raste.
Vetë në pesë ditët e fundit janë shëruar mbi 100 persona.
Ndërkohë tashmë Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar tri faza për lehtësim të masave. Faza e parë pritet të nisë të hënën, më 4 maj. /Reporteri