Shkruan Kim Mehmeti
Kosova e lirë, me burgje të Millosheviqit?!
Kim Mehmeti
“Kosova duhet t’i shpjegojë vetvetes, si dhe mbarë shqiptarisë, pse i ndodhi që edhe pas çlirimit të ketë burgje si ato të Millosheviqit ku ‘vetëvriteshin’ shqiptarët. Pastaj Kosova duhet të shpjegojë si është e mundur që edhe pas çlirimit të ketë një sistem të organizuar policor, prokurorial e shtetëror që me aq lehtësi rastet e vrasjeve i shpall si vetëvrasje.
Dhe nuk është keq që Kosova të përgjigjet pse Presidenti i saj me aq lehtësi sot flet për vrasjet që kanë bërë të tjerët dikur, e që ai i ka heshtur deri më tani?! Si dhe pse politikanët shqiptarë i kujtojnë shokët e tyre të vrarë vetëm pasi ata vetë të kenë bërë vetëvrasje politike si dhe pse, për shembull, drejtuesve të LDK-së, u kujtohen aktivistët e vrarë të partisë së tyre vetëm kur janë në opozitë, e jo edhe kur janë në koalicion qeverisës me ‘Klanin Pronto’?
Pasi t’u përgjigjet këtyre pyetje dhe pasi të shpjegojë pse mbeti shtet ku edhe të vrasin për pushtet, Kosova do e kuptojë se deri në zgjedhjet e paradokohshme parlamentare, ajo ishte duke e vuajtur robërinë e atyre që e sundonin me mendësinë millosheviqiane. Pra do e kuptojë se duhet ta nis betejën për t’u çliruar nga robëria e mendësia politike që të shpall armik e terrorist vetëm pse ka rrezik ta shpalosësh fytyrën e maskuar të pushtetarëve hajdutë e kriminelë!” ( Kim Mehmeti)